Arbëri

Mustafa i kërkon Hotit t’i mbledhë liderët e partive javën e ardhshme

Javën e ardhshme, subjektet politike në vend pritet të bëhen bashkë për t’i dhënë formë unitetit politik, për të cilin është bërë thirrje pas konfirmimit të aktakuzave ndaj katër figurave të UÇK-së.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një përgjigje për KOHËN, ka bërë të ditur se do të kërkojë nga kryeministri që të takohet me liderët e partive për ta caktuar mënyrën e veprimit.

“Kosova herë-herë përngjan në një vend të njerëzve të arsyeshëm që e kuptojnë situatën nëpër të cilën po kalojmë, por herë-herë të duket si fushë e gladiatorëve ku kërkohen viktima. Arrestimi i presidentit të vendit dhe njerëzve kryesorë të UÇK-së, dy prej tyre ish-kryetarë të Parlamentit, njëri aktualisht shef i grupit më të madh parlamentar, duhet ta brengosë çdonjërin prej nesh. Duhet të na brengosë stabiliteti institucional i vendit, jehona që këto arrestime do të kenë në arenën ndërkombëtare, se po vihen në harresë krimet dhe gjenocidi i shtetit serb në Kosovë. Është periudha më e rëndë dhe më e trishtë e pasçlirimit. Lypset të gjejmë forcë për unitet dhe solidaritet, të heqim dorë nga egoja. Në këto rrethana nuk ka arsye të flasim për Gjykatën Speciale dhe punën e saj. Le ta bëjë drejtësia punën e vet. Por, ne duhet të bëhemi bashkë e të flasim dhe veprojmë e të ndihmojmë njerëzit tanë që janë subjekt i kësaj gjykate. Ata janë vetëm të dyshuar, por janë të pafajshëm derisa të mos ndahet drejtësia. Duhet të forcojmë lobimin në të gjitha vendet, për ta prezantuar dhe rikujtuar luftën e drejtë të UÇK-së. Të mbështesim mbrojtjen e fortë dhe të drejtë për njerëzit e Kosovës. Do të kërkoj nga kryeministri që të ulemi gjatë javës së ardhshme me të dhe me të gjithë liderët politikë, që të krijojmë platformë të domosdoshme veprimi. Çështja se kush dhe kur do të bëhet president i vendit dhe kur do të shkojmë në zgjedhje, për mua janë të prioritetit të dytë”, ka thënë Mustafa.

Nga AAK-ja thonë se janë të gatshëm të kontribuojnë në stabilitetin institucional, derisa nuk hedhin poshtë as mundësinë e zgjedhjeve.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me vëmendje po përcjell të gjitha zhvillimet në vend. AAK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe unitetin e spektrit politik gjithëpërfshirës. AAK respekton në punë, si partnerët e koalicionit, ashtu edhe të opozitës. Krahas kësaj, AAK është e gatshme për çdo variant në të mirë të funksionimit të institucioneve, përfshirë edhe zgjedhjet. AAK, politikën shtetërore e bën hapur nën principin e edukatës institucionale”, ka deklaruar Ali Berisha, nënkryetar i AAK-së.

Mbajtja e zgjedhjeve është mundësia më reale edhe për PDK-në.

“Janë vetëm dy opsione, opsioni i parë dhe shumë real janë zgjedhjet sepse s’ka konsensus brenda partive në koalicion. PDK-ja sigurisht se do ta shqyrtojë seriozisht situatën”, është shprehur zëdhënësi i partisë, Avni Bytyçi.

E, sipas Allen Metës nga Demokracia për Zhvillim, i takon ushtrueses së detyrës së presidentes që të angazhohet në arritjen e bashkimin e subjekteve politike.

“Besoj që është shumë e rëndësishme që si udhëheqëse, si presidente e shtetit, Vjosa Osmani të ndërmarrë hapa konkretë rreth unifikimit të partive politike, duke e pasur parasysh që jo vetëm se kemi nevojë për unitet brenda qeverisë, por edhe të gjithë spektrit politik”, ka deklaruar Meta.

Lidhur me veprimet e kryeministrit për këtë çështje, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës. Por nuk ka marrë përgjigje gjatë së shtunës.