Arbëri

Pasojat e Speciales

Foto: Koha

Kosova mund të futet në krizë institucionale pas dorëheqjes së Thaçit nga posti i presidentit. Partitë kanë afat gjashtë muaj që ta zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Derisa partitë në pushtet kanë kërkuar unifikim të spektrit politik dhe veprime të përgjegjshme institucionale, Lëvizja Vetëvendosje e ka përsëritur kërkesën për zgjedhje, pas të cilave do të dalin qeveria e re dhe presidenti

Dorëheqja e presidentit Thaçi pas konfirmimit të aktakuzës mund të prodhojë krizë të re institucionale. Qeveria, e cila prej fillimit funksionon me një shumicë të brishtë, tani rrezikon të bjerë në rast nuk mbërrin të sigurojë shumicën prej së paku 80 votash në Kuvend për ta zgjedhur kreun e shtetit. Sipas interpretimit të juristëve, partitë kanë afat gjashtë muaj që ta zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Derisa partitë në pushtet kanë kërkuar unifikim të spektrit politik dhe veprime të përgjegjshme institucionale, Lëvizja Vetëvendosje e ka përsëritur kërkesën për zgjedhje, pas të cilave do të dalin qeveria e re dhe presidenti.

Pak orë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka marrë edhe zyrtarisht detyrën. Ceremonia e pranim - dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Osmani do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Në fjalimin e parë si ushtruese e detyrës së presidentit, Osmani ka kërkuar unitet popullor në kohën kur shteti po përballet “me sfida”.

“Vendi ynë po kalon ditë të vështira. Qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet e besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët. Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit, prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale e të forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit, që bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar dinjitetshëm”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se veprimet e Speciales janë rrjedhojë e obligimeve që Kosova ka pranuar.

“Proceset që vijnë pas nuk do ta dëmtojnë projektin tonë për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të ushtrisë sonë çlirimtare. Dua të shpreh vlerësimin të gjithë atyre që kanë treguar vendosmëri dhe besim në institucione e i janë përgjigjur ftesave të Speciales duke dëshmuar besim të palëkundur në drejtësi”, ka deklaruar Osmani, e cila jo rrallë ka pasur përplasje të mëdha me Thaçin.

Sipas Kushtetutës, ajo nuk mund të qëndrojë më gjatë se gjashtë muaj në këtë post. Ky është afati i rregullt kushtetues kur do t’i përfundonte mandati i plotë Thaçit.

Ushtruesi i detyrës së presidentit nuk është president i zgjedhur dhe herë pas here janë ngritur pyetje lidhur me kompetencat e ushtruesit të detyrës. Një të tillë e kishte ngritur ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi në Gjykatën Kushtetuese, kur u caktua në këtë pozitë pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut, meqë të njëjtën kohë ishte edhe sekretar i Partisë Demokratike. Kushtetuesja pati konstatuar se mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të presidentit të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ushtrimi i postit të sekretarit të përgjithshëm të PDK-së nuk është në papajtueshmëri me Kushtetutën.

Osmani pas mospajtimeve me udhëheqësit e LDK-së u përjashtua nga partia dhe tani është duke u angazhuar për krijimin e një iniciative qytetare, me të cilën do të garonte në zgjedhjet e ardhshme.

“Presidenti i ri, më së largu deri më 6 prill”

Kushtetuta lejon mundësinë që në rast të dorëheqjes së parakohshme të shefit të shtetit, legjislatura aktuale ta zgjedhë presidentin e ri me mandat të plotë pesëvjeçar. Në dy raundet e para kërkohet që të zgjidhet me dy tretat, pra 80 vota, ndërsa në të tretin kërkohen 61 vota, me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim. Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president, sipas Kushtetutës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh.

Sipas nenit 86.3, secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për president të Republikës së Kosovës, “nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president të Republikës së Kosovës”.

Aktualisht koalicioni qeverisës ka një shumicë të brishtë prej 61 votave, e pamjaftueshme kjo për zgjedhjen e presidentit. Por shumicë nuk kanë as subjektet që përbëjnë opozitën- LVV-ja me 31 deputetë dhe PDK-ja me 24.

Juristi Vigan Qorrolli ka thënë se partitë kanë afat që më së largu më 6 prill të vitit të ardhshëm ta zgjedhin presidentin e ri.

“Nëse më 6 prill nuk kemi president shpërbëhet Kuvendi. Nuk ka mundësi të ketë zgjedhje nëse deri më 5 prill gjendet konsensusi për zgjedhjen e presidentit. Por unë më afër i shoh zgjedhjet e reja sesa këtë mundësi dhe kuvendi i ri ta zgjedhë presidentin”, ka thënë Qorrolli.

“Afërsisht prilli do të mund të jetë i përshtatshëm për organizimin e zgjedhjeve. Këtij kuvendi i ka humbur legjitimiteti, mbi të gjitha, etika e punës. Aty ka fyerje, ka mllefe, egocentrizma, por nuk ka punë.

Sa i përket opsionit për një qeveri të unitetit - kërkesë kjo e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sipas Qorrollit, kjo nuk do të mund të zgjaste më shumë se gjashtë muaj, kur edhe i përfundon mandati ushtrueses së detyrës së presidentit.

“Mund të mbetemi me qeveri në detyrë, por pas gjashtë muajsh ne do të mbetemi edhe pa president, prandaj zgjedhjet në Kosovë janë të pashmangshme”, ka theksuar Qorrolli.

LDK-ja do të tentojë zgjerimin e koalicionit

Shenjat e dukshme të Gjykatës Speciale kur nisi arrestimet e para bënë që partneri kryesor në qeveri- Lidhja Demokratike, edhe zyrtarisht t’i heqë vijat e kuqe për të gjitha subjektet, përfshirë Partinë Demokratike, e cila është në opozitë.

Por një burim i afërt me zhvillimet i ka thënë KOHËS se partnerët e koalicionit do të tentojnë t’i shmangin zgjedhjet e parakohshme dhe të mos e lënë gjatë Osmanin në krye të Kuvendit, e cila para disa muajsh u përjashtua nga LDK-ja. Kjo synohet të bëhet duke tentuar zgjerimin e koalicionit me Partinë Demokratike, kryetari i së cilës të enjten ka udhëtuar drejt Hagës pas konfirmimit të aktakuzës. Në diskutimet joformale më herët është përmendur mundësia që krahas presidentit, PDK-së t’i ofrohen edhe tri poste në qeveri. Në lidhje me këtë mundësi gazeta ka provuar të marrë një qëndrim nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, por nuk është përgjigjur.

Deri para konfirmimit të akuzës, zyrtarë të PDK-së kishin mohuar të kenë pasur diskutime të tilla. Zyrtarë të kësaj partie kanë refuzuar të deklarohen të enjten.

LDK-ja dhe PDK-ja e kanë të pamundur ta zgjedhin presidentin vetëm me përkrahjen e komuniteteve joshumicë, pa 14 votat e deputetëve të Aleancës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbledhur të enjten Kryesinë e partisë për t’i diskutuar hapat e mëtejmë pas dorëheqjes së Thaçit.

Përmes një komunikate për media kjo parti ka thënë se vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale, “e cila, përveçse duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë. LDK-ja është e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, ndërkaq ka apeluar që institucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në njoftim. Ndërkaq një mbledhje e qeverisë është thirrur për të premten nga Avdullah Hoti.

E partneri i LDK-së në qeveri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas një mbledhjeje urgjente ka dalë me një listë propozimesh.

Qeverisë i është kërkuar t’i ndërpresë menjëherë të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me procesin e dialogut me Serbinë deri në një situatë të re. Mes tjerash, AAK-ja ka kërkuar edhe takim urgjent të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese. AAK në këtë mbledhje nuk e ka përmendur kandidatin e shpallur prej muajsh për postin e presidentit, Ramush Haradinaj. Zyrtarë të AAK-së në disa raste kanë kërcënuar me dalje nga koalicioni, nëse nuk mbështetet kandidati i tyre. LDK-ja nuk i kishte ofruar mbështetje kandidaturës së tij, duke e ruajtur këtë pozitë për PDK-në. Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit në vitin 2019, pasi ishte ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale. Por deri më tani nuk ka ndonjë aktakuzë të konfirmuar ndaj tij.

VV-ja insiston në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i vetëm që vazhdon të insistojë në zgjedhje të parakohshme, pas të cilave do të zgjidhej edhe presidenti i vendit. Ky subjekt e ka përsëritur kërkesën edhe pas dorëheqjes së Thaçit, teksa kanë shprehur besimin në luftën e drejtë të UÇK-së. Por deri më tani Vetëvendosja nuk ka arritur ta fusë në procedurë mocionin për rrëzimin e qeverisë. Që kjo të ndodhë duhen 40 nënshkrime të deputetëve, e VV i ka vetëm 31.

“Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri, e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja”, shkruhet në njoftimin e VV-së. Sipas tyre, deri atëherë, në një transicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, Vjosa Osmani, si ushtruese e detyrës së presidentes, do të kontribuojë për të mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

“Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në, dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Thaçi bëhet presidenti i dytë që jep dorëheqjen pa i përfunduar mandati. Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ishte dorëhequr nga posti i tij më 27 shtator 2010 pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se ai ndodhej në shkelje kushtetuese, meqë njëkohësisht ka ushtruar funksionin e kreut të shtetit dhe atë të kryetarit të partisë. Atëbotë ushtrues i detyrës së presidentit ishte caktuar ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili një ditë më herët ka udhëtuar në Hagë. Mbi të rëndojnë aktakuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.