3 perditesime
23:53

Gashi: Testimi serologjik vërtetoi imunitet më të madh te qytetarët se që kemi pritur

Rezultatet e hulumtimit të testimit serologjik, iniciativë që ka ndërmarr komuna ne Prishtinës, do të dalin së shpejti. Do të jenë preliminare dhe me to do të shihet prevalenca, ka thënë Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se nga 21 korriku kur ka nisur testimi serologjik, janë kryer rreth 12 mijë teste dhe sipas tij, nga ajo që ka rezultuar, shihet një imunitet më i mirë te qytetarët se që është menduar.

“Do të dalim me rezultate preliminare shumë shpejt, është grupi punues që po i kryen. Në fund të nëntorit do të nisin hulumtimin e tretë, me 3.000 qytetarë, për ata që nuk dihet a e kanë pasur apo jo koronavirusin. Do të shihet prevalenca. Deri më tash janë bërë 12 mijë testime, 6.000 qytetarë janë testuar dhe shihet një imunitet i krijuar, shumë më i madh se që kemi menduar”, ka thënë Gashi.

Testet serologjike shërbejnë kryesisht për hulumtime dhe matje të imunitetit të masës dhe ky është edhe qëllimi i Komunës së Prishtinës.

23:47

Gashi: Virusin e kemi prezent dhe duhet të jetojmë me të

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka deklaruar mbyllja totale e vendit do ndikonte në uljen e rasteve me koronavirus, mirëpo do shkaktonte pasoja të ndryshme, si për shembull ajo ekonomike.

Gashi ka thënë se duhet patur për bazë kujdesin e qytetarëve, dhe nëse nga marsi është arritur të shpëtohet jeta e një qytetari, ia ka vlejtur izolimi.

“Virusin e kemi prezent dhe duhet të jetojmë me të. Ka metoda që do të ndihmojnë me ndërprerjen e simpoziumeve dhe institucionet. Përveç rasteve të caktuara, çdo punëtorë mbanë maskë në institucionet shëndetësore”, ka thënë ai.

Gashi tutje ka bërë me dije se në qendrën për koronavirus të Komunës së Prishtinës, në baza ditore paraqiten rreth 120 persona që kërkojnë shërbime mjekësore. Sipas tij, një pjesë e tyre është që janë të infektuar dhe një pjesë të dyshuar me koronavirus.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë ka potencuar se sipas tij, me udhëzimin e ekspertëve mjekësorë, të gjitha ato raste që mendohen se nuk raste urgjente, mund të lëshohen për në shtëpi me një trajtim me të lehtë.

“Në Komunën e Prishtinës pranohen të gjitha rastet që nuk pranohen në Klinikën Infektive ose në ndonjë nga klinikat e QKUK-së. Të gjitha rastet që nga mjekët profesionistë, në Klinikën Infektive, mendohen se nuk janë raste urgjente dhe nuk janë prej atyre rasteve që kanë nevojë trajtim spitalor, lëshohen për të shtëpi me rekomandim për marrjen e terapisë paranterale. Të gjitha ato raste rekomandohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare që është Qendra për COVID-19 në Emshir”, ka thënë Gashi.

23:36

Gashi: Jemi për rritjen e mbikëqyrjes, jo për masa rigozoze

Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, nuk vlerëson se ndonjë masë rigoroze për parandalimin e përhapjes së COVID-19, do të ishte e suksesshme.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së tha se e gjitha që duhet tash është rritja e mbikëqyrjes së situatës.

Ai është pjesë e Komisionit për Pandeminë që do të mblidhet të shtunën për të shqyrtuar situatën me COVID-19 në Kosovë, por përjashton si ide ndonjë izolim tjetër. Megjithëse thotë se komunat e kanë të obliguar të zbatojnë çdo vendim që merr Qeveria.

“Ne jemi më shumë për rritjen e mbikëqyrjes. Si profesionist jam për mbajtje të maskës, për mbajtje të higjienës dhe distancës. Këto tri masa na mbrojnë më së shumti. Një mbikëqyrje më e rreptë do të ishte më e udhës. Nuk mendoj se shtimi i masave, apo karantinimi larg qoftë janë zgjidhje. E kemi provuar, nuk ka dhënë rezultate, sado që kufizojmë lëvizjen, në orare të caktuara do të shtyjmë qytetarët të bëjnë grumbullime në atë kohë, kudo që kanë nevojë”, ka thënë Gashi.

23:31

Gashi: Sa më shumë bëjmë testime, aq më i madh do të jetë numri i të infektuarve

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka deklaruar se sa më i madh të jetë numri i testimeve në vend, aq më i madh do të jetë numri i të infektuarve.

Gashi në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se në tri javët e fundit, janë rritur rastet me koronavirus në Kosovë.

“Sikur t'i realizojmë nesër 3200 testime, sigurisht se do t'i kemi 700 infektime. Ky është proporcioni dhe nuk mund të jetë ndryshe. Varet edhe nga rastet dhe personat që identifikohen si kontakte”, ka deklaruar ai.