Arbëri

Raportimi në Kuvend për dialogun, i pamjaftueshëm për ofrimin e transparencës

Raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në kuvend e konferencat e tij për dialogun janë duke u konsideruar të pamjaftueshme për ta bërë këtë proces transparent.

Njohës të punës së ekzekutivit e procesit të bisedimeve në Bruksel e Washington thonë se mënyrat e përdorura nga kreu i Qeverisë janë obligim i tij, por se problem mbetet përmbajtja e tyre, raporton KOHA.

Sipas Arbëresha Loxhës nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, diskutimet në kuadër të dialogut do të duhej të ishin publike në detaje.

“Qeverisë i mungon një llogaridhënie karshi qytetarëve të Kosovës se pse po bëhen ashtu siç po bëhen Ani pse kryeministri po pretendon duke dalë në konferenca ose duke raportuar në Kuvendi, po pretendon se ka transparencë karshi qytetarëve. Por realisht nëse e shohim në substancë ajo çfarë po paraqitet në publike nuk përbën elementet kryesore të të qenit transparent”, ka thënë Hoxha.

Kurse nga Lëvizja Fol vlerësojnë se mënyrat e kryeministrit për të ofruar transparencë janë të qëllimshme.

“Janë shumë më shumë obligime ligjore që i përfundon qeveria, sepse duhet edhe provon më pas një lojë politike deri në atë pikë ku ne jemi transparentë dhe po raportojmë pas çdo takimi. Mirëpo rezultatet nuk jemi duke i parë”, ka deklaruar Erblin Hoxha, hulumtues nga Lëvizja FOL.

Përveç kryeministrit, Loxha e Hoxha thonë se për zhvillimet rreth dialogut llogaridhënës ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të jetë edhe koordinatori shtetëror, Skënder Hyseni.

Qeveria e Kosovës ka thënë se transparente për këtë proces do të jetë edhe në të ardhmen aq sa ka qenë deri më tash.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, do të vazhdojë të jetë transparente për secilën fazë të bisedimeve në kuadër të procesit të dialogut. Përmes raportimeve në Kuvend, konferencave të Kryeministrit Hoti dhe komunikatave për media nga Zyra e Kryeministrit, mediat dhe opinioni publik do të njoftohen në baza të rregullta për të gjitha temat të cilat do të diskutohen në Bruksel. Pasi që në këtë faze po punohet për marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim te marrëdhënieve, ritheksojmë se Qeveria është e përkushtuar t’i zbatojë në përpikëri parimet themelore në këtë proces. Parim themelor është se nuk ka dakordim për asgjë derisa nuk dakordohemi për të gjitha dhe nuk ka zbatim të pjesshëm të marrëveshjes”,ka thënë Antigona Baxhaku-Idrizi nga Zyra e Kryeministrisë për Komunikim me Publikun.

Nga Bashkimi Evropian thonë se mbetet zgjedhje e Qeverisë së Kosovës se si dhe sa i informon qytetarët për atë se çfarë është diskutuar në Bruksel.