Kryeministri Avdullah Hoti i ka quajtur spekulime deklaratat se shuarja e Task-Forcës Antikorrupsion do të shtyjnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ai madje ka thënë se vendime të tilla do të merren edhe në të ardhmen për të luftuar korrupsionin.
“Është krejtësisht spekulim. Njerëzit që janë kundër këtyre vendimeve që vendosin ligjshmëri në cdo sferë të jetë. Nuk ka lidhje, përkundrazi do t’i shohim edhe vendime të tjera edhe më të fuqishme në vendosjen e ligjshmërisë në luftimin e krimit e korrupsionit në çdo nivel. Këto vendime do çojnë drejt rrugës së liberalizimit të vizave”, tha ai pas mbledhjes së qeverisë.
Hoti tha se “do të rritet efikasiteti i funksionimit të institucioneve të Policisë së Kosovës”.
Ndërkaq, i pyetur edhe lidhur me dialogun dhe takimet me partnerët ndërkombëtar, ai ka thënë se e vetmja gjë që kërkohet është njohja reciproke me Serbinë dhe nuk pranojnë njohje parciale.
Kreu i qeverisë mohoi se dje është diskutuar për themelimin e Asociacionit, ani pse pala serbe insiston se në takimin e djeshëm në Bruksel e kanë hapur këtë temë.