6 perditesime
12:05

Selimi-Hotit: Nëse Task-Forca ishte jokushtetuese, pse nuk e dërguat në Gjykatë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi lidhur me deklarimin e kryeministrit Hoti, për Task- Forcën kundër Korrupsionit, ka thënë se nëse ka qenë vendim jokushtetues, atëherë pse nuk e keni dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Tash logjikshëm vjen pyetja, nëse ka qenë vendim antikushtetues, pse nuk e keni dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Këtë pyetje do t’ua bëjmë, derisa të na jepni përgjigje dhe mendoj se heshtja nuk është përgjigje. Pse nuk keni reaguar më herët, kjo Task-Forcë është themeluar që nga 2010. Nuk jemi vetëm ne që po e kundërshtojmë zhbërjen e Task-Forcës, në veçanti janë edhe ambasadat e ShBA-ve, Gjermanisë etj. Nuk e di çka përfiton Kosova me mos pasjen e kësaj Task-Force, ose anasjelltas çka ka humbur Kosova nëse e ka pasur këtë Task-Forcë”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00.

11:59

Hoti: Task-Forca ishte jokushtetuese

Kryeministri Avdullah Hoti, ka folur përsëri për shuarjen e Task-Forcës. Ai ka thënë se vendimi i 2010 me të cilën është themeluar kjo Task-Forcë është jokushtetues.

“Dëshiroj të sqaroj para juve, lidhur me vendimin e Qeverisë që lidhet me ish Task Forcën. Çdo jurist besoj e ka të qartë, edhe student me qenë ende pa diplomu që vendimi i vitit 2010 është jo kushtetues. Shihni pikën e parë të këtij vendimi, i cili thotë që Qeveria i kërkon Prokurorisë të themeloj struktura të caktuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, pushtetet janë të ndara dhe Qeveria nuk mund t’i kërkoj prokurorisë të themeloj struktura të caktuara, sepse sipas tij, është çështje e Prokurorisë.

“Ajo që duhet të bëjë Qeveria është të vejë në funksion gjitha kapacitetet e veta, sipas nevojave që ka Prokuroria. E dyta Eulex-it i ka ndërruar mandati. Atë që kemi bërë ne me këtë vendim, është kthimi i ligjshmërisë në çdo aspekt. Është më se e qartë që krejt Policia, është në dispozicion të Prokurorisë, jo me vendim të qeverisë, por sipas ligjit. Plani jonë është i qartë se kah do të lëvizim më tutje, në bazë të ligjit sigurisht”, ka thënë ai.

Duke iu përgjigjur ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, Hoti ka thënë: “A mundet Qeveria t’i kërkoj Prokurorisë të ndërtoj një strukturë? Në pikën e dytë të atij vendimi thuhet se Qeveria përcakton edhe numrin e prokurorëve. A di çka ka mungu në këtë vendim, vetëm edhe emri i prokurorëve, vetëm kaq. E tash çka po bëjmë ne, po e bëjmë organogramin e ri të Policisë sipas ligjit. Me Policiinë po merremi. Me bo një strukturë organizative sipas ligjit, ndërkohë Task Forca me gjitha çështjet që i ka në shqyrtim vazhdon e pa penguar”.

11:40

Tahiri: Nuk mjaftojnë arsyet e Hotit për shuarjen e Task-Forcës

Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se në vend ka zhvillime që e kthejnë mbrapa përkushtimin për sundimin e ligjit.

Ai në deklarimet jashtë rendit të ditës ka thënë se në vend se të veprohet e kundërta, po merren masa për inkurajimin e atyre të cilët shkelin ligjin.

Tahiri ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti duhet të tregojë se çfarë e ka shtyrë të marrë vendim për shuarjen e Task-forcës, pasiqë sipas tij, dyshimet ekzistojnë.

“Po shohim zhvillime që e kthejnë mbrapa përkushtimin për sundim të ligjit e luftim të korrupsionit, në fakt po shohim krim të organizuar, sofistikuar siç është rasti i avullimit të 2 milionëshit, në vend se të merren masa për të parandaluar të njëjtit, po duket që po merren masa për ta inkurajuar të njëjtit. Kryeministri më një vendim skandaloz ka shuar Task-Forcën kundër korrupsionit në Polici. Çfarë e ka nxitur për një gjë të tillë është mirë të na e thotë vetë, sepse dyshimet ekzistojnë e arsyet që i ka dhënë nuk mjaftojnë”, ka thënë ai.

11:34

Selimi: Klubi i politikës së vjetër është bërë bashkë

Shefi i Grupit Parlamentar, Rexhep Selimi, në deklarimet jashtë rendit të ditës, ka renditur disa nga problemet me të cilat thotë se po përballet Kosova.

Ai ka përmendur banorët e Komunës së Mitrovicës dhe të viseve të tjera që sipas tij, pengohen ende sot për tu kthyer në pronat e tyre, dhe s’mund të kthehen për të punuar e për të jetuar.

“Janë banorët e Hadës me problemin e tyre të madh e të pazgjedhur, janë po ashtu banorët e Drenasit që po përballen pa përgjigje me problemin e madh që kanë nga Ferronikeli, ku po i rrezikohen shtëpitë, pronat, shëndeti, e veçmas jeta e tyre. Qytetarët do duhej të ishin në plan të parë për qeverinë e tyre për zgjidhjen e problemeve të tyre të shumta. Janë pjesëtarët e Policisë së Kosovës ende pa ligjin për pensionim të parakohshëm dhe pa sigurim shëndetësor, janë zjarrfikësit ende pa status e pa përkrahje”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se sot në vend grabitet thesari i shtetit përmes militantëve partiak e të punësuar në administratë.

“Ne kemi minator, por pa status. Janë gratë e papuna, amvise në Kosovë që rrisin fëmijë e mbajnë familje, pa përkrahje nga shteti. Nuk janë siguruar strehë për gratë e dhunuara. Fondin pensional po duan ta zbrazin, që pensionistët e nesërm të jenë po aq keq sa pensionistët e sotëm, në këtë situatë të rëndë ekonomike. Grabitet thesari i shtetit përmes militantëve partiak të punësuar në administratë, grabitet AVUK, ka hetime për tendere deri në nivele të larta qeveritare, në ndërkohë shuhet Task Forca kundër Korrupsion. Klubi i vjetër i politikës së vjetër po sillen njëjtë dhe janë bashkë, krejt po i shohim, veç ata po mendojnë që po e fshehin fytyrën”, ka thënë ai.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës në seancën e re, në emër të LDK-së, deputeti Visar Hoti, ka kërkuar që qeveria të marr përsipër mbulimin e një pjese për trajtimin e lëndimeve të sportistëve, pasi sipas tij ekipet nuk i mbulojnë këto shpenzime dhe shumë sportistë detyrohen të ndërpresin karrierën si pasojë e lëndimeve.

11:15

Dështon edhe votimi i tri projektligjeve për marrëveshje ndërkombëtare

Për shkak se nuk janë mbështetur nga LVV-ja ka dështuar edhe miratimi i tri projektligjeve për tri marrëveshje ndërkombëtare.

Asaj ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe asaj për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Hekuran Murati i LVV-së, parti kjo e cila nuk i ka mbështetur këto marrëveshje ndërkombëtare, ka thënë se kanë ngritur si shqetësim ngritjen e borxhit publik por edhe mosshfrytëzimin e kredive që po nënshkruhen e ratifikohen. Kjo shumë e kredive të pashfrytëzuara sipas tij ka arritur vlerën e 520 milionë eurove.

“Ato kredi krijojnë obligime shtesë, tarifa të zotimit dhe tarifa të tjera që janë identifikuar edhe në raportin e auditimit andaj në për këtë çështje kemi kërkuar një raportim të detajuar nga ministrja e financave në lidhje me mbështetjen ose jo të këtyre marrëveshjeve”, ka theksuar Murati.

Ai ka thënë se meqë nuk kanë pranuar një raportim të tillë, si grup nuk mund t’i mbështetshin këto marrëveshje.

Më shumicë votash është miratuar në parim i Projektligji për Peticione, ndërsa Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, nuk është hedhur në votim, pasi që kanë munguar shumica e deputetëve të minoriteteve, që duhen për kalim të ligjeve me interes vital. Nuk është votuar as Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës.

11:07

Sërish nuk votohen projektligjet e rezolutat e mbetura nga seancat e kaluara

Në vazhdimin e seancës që ka nisur me gati një orë vonesë janë hedhur në votim pikat e papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8 dhe 16 tetor 2020.

Këto pika janë duke u hedhur në votim që disa herë radhazi por mospjesëmarrja në votim, herë e partive të pushtetit e herë atyre të pozitës ka bërë që ato të mos miratohen.

Edhe një herë pjesëmarrja në votim e vetëm deputetëve të PDK-së, ka bërë që të dështojë miratimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Gjithashtu ka dështuar edhe votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, që është mbështetur vetëm nga LVV-ja.

Nuk është votuar as Propozim-rezoluta nga Interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Mbështetje për të kaluar nuk ka marr as Projektligji për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, i cili është propozuar nga PDK-ja.

Deputetët kanë votuar edhe për pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 8, 12 dhe 16 tetor 2020. Nuk është miratuar në parim as Projektligji për ndryshim plotësimin e Ligjit për Automjete, ndërkohë që rezoluta nga Interpelanca me Kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike, nuk është hedhur në votim.

10:51

Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës. Sot do të trajtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara, ndërsa më pas, do të mbahet seancë e re.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga deputetët që të kenë kujdes dhe t’i respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19.