Arbëri

Për 10 muaj, legjislativi kosovar ka arritur që t’i kalojë vetëm 13 ligje

Janë bërë 10 muaj prej kur është konstituuar Kuvendi i Kosovës, por deri më tash i ka miratuar vetëm 13 ligje të parapara në agjendë.

Madje nga to, vetëm 3 kanë qenë projektligje, 10 të tjerat janë marrëveshje ndërkombëtare.

Për mungesën e produktivitetit të Kuvendit, deputetët e opozitës nuk po mbajnë përgjegjësi.

Ata kanë thënë se për mospunën faji duhet të kërkohet te Qeveria.

“Nuk janë fajtorë deputetët, duhet fajin ta kërkojmë te qeveria e cila është shumë neglizhente, është shumë e ngadalshme dhe nuk është e përkushtuar në esencë për nxjerrjen e ligjeve në parlamentin e Kosovës. Po shihet që më tepër është e interesuar për çështje periferike dhe çështje të akomodimeve të njerëzve të tyre, është e interesuar më shumë të bëjë spastrime dhe ta kapë shtetin sesa të sjellë këtu projektligje dhe ato projektligje të bëhen ligje”, ka deklaruar Elmi Reçica deputet i PDK-së.

“Çdo ligj të cilin këta e kanë sjellë në Kuvend nuk kanë mundur ta kalojnë. Arsyeja pse nuk po mund t'i kalojnë ligjet është se përveç opozitës e cila nuk po voton këtu kemi edhe deputetë të mazhorancës të cilët nuk po i përkrahin sepse nuk po i besojnë kësaj qeverie”, ka shtuar Fitim Haziri, deputet i LVV-së.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, e ka pranuar se është detyrë e Qeverisë t’i ketë numrat, por ka thënë se edhe opozita do të duhej të tregohej më bashkëpunuese.

“Qeveria apo mazhoranca e ka obligim t'i ketë 61 vota, kjo nuk vihet në dyshim, por kur je në kufi të numrave nuk është lehtë t'i kesh gjithmonë 61 deputetë në seancë. Këtu shtojmë edhe pandeminë që vërtet kemi pasur vazhdimisht deputetë të infektuar dhe natyrisht opozita nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri për të bashkëpunuar”, tha Gaxherri.

Monitoruesit e Kuvendit numërojnë një varg problemesh që kanë çuar deri te ngecja në përmbushjen e agjendës legjislative.

“Nuk është që Kuvendi në këtë kohë nuk ka me çka të merret, sepse Qeveria ia ka dorëzuar iniciativat, mirëpo Qeveria zakonisht është shumë ambicioze në agjendën e saj legjislative dhe nuk i dorëzon me kohë projektligjet, ashtu siç i ka paraparë me kalendarin e saj të punës dhe kjo ndikon pastaj edhe te vetë Kuvendi në shqyrtimin e këtyre projektligjeve. Pse ka kaq pak ligje, fatura besoj duhet të ndahet ndërmjet Qeverisë që ka një pjesë më të madhe të përgjegjësisë dhe Kuvendit”, thotë Albert Krasniqi i Democracy Plus.

Nga agjenda legjislative e paraparë prej Qeverisë kanë qenë 141 projektligje, por prej tyre 13 kanë kaluar dhe 23 janë në procedurë.