Arbëri

Thaçi takoi liderët e partive politike, u bisedua për zgjedhjet në Podujevë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takime të ndara ka pritur liderët e partive që janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, në takim ishte biseduar për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, por edhe zhvillimet politike në vend.

“Presidenti i ka takuar sot liderët e partive politike, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet në Komunën e Podujevës dhe për zhvillimet e përgjithshme politike në vend”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkaq, pas këtij takimi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar që temë diskutimi nuk ishte posti i presidentit.

Se nuk është koha të diskutohet për presidentin ka thënë edhe Kryeministri Avdullah Hoti.

Në takim ishin edhe Fatmir Limaj i NISMA dhe Kryetari i LDK-së Isa Mustafa që nuk janë deklaruar para mediave.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 29 nëntor në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut.