Arbëri

MI-ja përgënjeshtron ministren Bajrami lidhur me raportimin e vjedhjes në Thesar

Descriptive Text

Udhëheqës të Ministrisë së Infrastrukturës kanë përgënjeshtruar ministren e Financave, Hykmete Bajrami, e cila pati thënë se rastin e vjedhjes së 2 milionëve në Thesarin e Shtetit e kishte lajmpëruar ajo në Polici.

Në një konfrencë për media, i pari i kësaj ministrie, Arban Abrashi ka thënë se rastin e kanë raportuar ata.

Ai ka thënë se sekretari i ministrisë informatën e ka pranuar si dyshim dhe pastaj e ka lajmëruar në Thesar, e kur është vërtetuar e ka dërguar në organet e rendit.

Abrashi tutje ka shtuar se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ata që janë duke bërë hetimet.

“MI është palë e dëmtuar dhe janë dëmtuar taksat e qytetarëve, janë dëmtuar një numër i projekteve që janë me rëndësi. Do të bëjmë çmos që këto mjete të kthehen”, ka thënë ai.

Ndërkaq sekretari i MI-së, Izedin Bytyqi, ka thënë se informatën e ka pranuar më datë 19 tetor. 

“Ajo çka mund të themi është së Ministria e Infrastrukturës e ka zbuluar këtë keqpërdorim dhe e ka raportuar në organet e rendit”, ka thënë ai.

Bajrami kishte thënë se pas marrjes së informatës për vjedhje, ajo e kishte lajmëruar rastin në Polici.

“Ashtu siç kam njoftuar edhe më herët ne po i ndërmarrim të gjitha hapat ligjor. Pas 3 minutave që unë jam informuar kam raportuar në polici. Ky është një krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi kibernetik. Ka pasur qasje të paautorizuar, janë tejkaluar autorizimet ligjore, dhe është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer passworde. Nuk është kërkuar për asnjë transaksion nënshkrimi im as i drejtorit të thesarit. E gjitha ka ndodhur përmes një falsifikimi. Ne i kemi njoftuar organet e drejtësisë përfshirë prokurorinë, departamentin për krime kibernetike dhe ekonomike, njësinë për inteligjencën financiare dhe AKI”, ka thënë Bajrami në konferencën që e kishte mbajtur po atë ditë kur u bë publike vjedhja.