Arbëri

Disa shkolla kanë ende probleme me ngrohjen, klasat s’mund t’i ajrosin

Kjo klasë e vogël e shkollës fillore “4 Dëshmorët” në Krojmir të Lipjanit është krejtësisht e ftohtë.

Klasa e katërt i ka vetëm 10 nxënës, por kushtet për mësim, sidomos në kohë pandemie, nuk janë aspak të mira.

Mësimdhënësja Sahadete Olluri tregon se mësimin nuk mund ta zhvillojë sipas Udhëzuesit të Ministrisë së Arsimit për mësimin në kohë pandemie, pasi objekti është krejtësisht i vjetër.

“Duhet patjetër por na i kemi të dëmtuara dhe gati veç ra në tokë dhe kisha frikë mos po i bie ndonjë fëmije. Për me u ngroh po është problem”, ka thënë Olluri.

E drejtoresha e Arsimit, e Komunës së Lipjanit, Elmaze Behluli thotë se aktualisht situata mbetet e tillë.

“Shkolla Amë e fshatit Krojmir është rinovuar në tersi dhe unë e kam menduar që at nxënës me i transferu atje. Ne mundemi me ua siguru edhe transportin për fëmijët që u bjen të udhëtojnë”

Por këtë problem nuk e ka shkolla fillore “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë.

“Pasi të përfundon ora, i lëmë hapur dritaret për 5 minuta që të ajroset klasa. Ndërsa pasi të përfundojë ndërrimi klasa ajroset për gjysëm ore, deri në ndërrimin tjetër”, ka thënë drejtori i shkollës, Ismet Gashi.

Megjithëse flasin për vështirësitë e mësimit në kohë pandemie, mësimdhënësit thonë se nuk do të donin të krijohej një situatë e rëndë e që mësimi të ndërpritet sërish.

MASH-i ka paraparë tre skenarë në rast se dështon mësimi në shkolla.