Arbëri

Kërkohet nisja e shpejtë e gërmimit në Serbi ku dyshohet për varreza masive

Komisioni Qeveritar për Personat e zhdukur po kërkon që sa më shpejtë të nisë gërmimi në disa lokacione të Serbisë, ku dyshohet se ka varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1998-99.

Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se është kërkesë e tyre, por edhe shoqatave të personave të zhdukur që sa më parë të fillojnë gërmimet në lokacionet e Serbisë, në regjionin e Rashkës dhe Novi Pazarit.

“Është shumë e rëndësishme që sa më parë të kemi datat për lokacionet e shënjuara në territor të Serbisë dhe jemi në koordinim me partnerë ndërkombëtarë, meqë përvoja e deritanishme me hapjen e katër lokacioneve që vetëm një preson më i madh i bashkësisë ndërkombëtare mund të krijojë mundësinë që ne ta adresojmë këtë çështje më tutje”, tha ai.

Ai ka shtuar se janë duke punuar që të ketë gërmime edhe në disa lokacione brenda Kosovës, duke shtuar se gjatë këtë viti në dy lokacione ku është bërë gërmimi janë gjetur trupa të shqiptareve të vrarë nga forcat serbe.

“Është punuar edhe gjatë muajit gusht dhe shtator dhe realisht në dy gërmime që kanë ndodhur këtë vit është hasur në mbetjen mortore të viktimave të luftës të cilët janë zhvarrosur dhe janë në ekzaminim të mëtutjeshëm dhe pasi të përfundojë kjo procedurë atëherë ne do të dimë saktë numrin e viktimave që janë zhvarrosur dhe pastaj do të njoftohet familja për datën ose kohën dhe vendin e varrimit”, shton ai.

Sipas tij, deri më tani janë zgjidhur më shumë se 72 përqind e rasteve të personave të zhdukur, ndërsa në Kosovë llogariten të jenë të zhdukur edhe 1640 persona.

Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parë si mundësi që gjatë këtyre negociatave të zgjidhet kjo çështje, por deri më tash nuk pasur rezultat.

Kushtrim Gara thotë se fati të zhdukurve është e rëndësishme që të jetë pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mes tjerash, ai shtoi se është një numër i organizatave të cilat në vazhdimësi janë marrë me grumbullimin e të dhënave dhe të dëshmive të krimeve që kanë ndodhur në luftën e Kosovës.

Ndërsa kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkini shprehet i zhgënjyer me punën që është bërë deri tash për të pagjeturit. Ai tha se si familjarë kanë kërkuar që të jenë vëzhgues, mirëpo ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete.

Kryetari Qerkini theksoi se nuk ka familjarë që e ka personin të pagjetur që nuk ka dhënë më së paku dhjetë intervista, dokumente dhe fakte.

“Ne familjarët kemi kërkuar që të jemi së paku vëzhgues dhe të ballafaqohemi ballë për ballë me ata njerëz të cilët flasin dhe kanë mundësi të marrin vendime se ndryshe flet një prind, ndryshe një politikan. Ne kemi kërkuar po përgjigje nuk kemi marrë”.

Edhe 21 vite pas luftës në Kosovë ende nuk dihet fati 1640 personave të zhdukur. Serbia ende vazhdon të mbajë të fshehët fatin e personave të zhdukur në Kosovë.