Arbëri

Vetëm së bashku mund të adresojmë nevojat e viktimave për drejtësi

Nëse e pranojmë se dhuna është mjet për të nënshtruar tjetrin, atëherë mund të themi se dhuna në baza gjinore është tentim i njërës gjini për të nënshtruar gjininë tjetër. Edhe në Kosovë dhuna në familje dhe në baza gjinore është një fenomen i shprehur dhe shqetësues. Pavarësisht se çdo grua mund të jetë viktimë e dhunës në baza gjinore, megjithatë gratë të cilat u takojnë grupeve të caktuara shoqërore janë shumë më të cenueshme dhe kanë më shumë mundësi të përjetojnë dhunë gjatë jetës së tyre në krahasim me gratë e tjera. Më konkretisht, gratë që jetojnë në varfëri apo vijnë nga komunitetet pakicë, janë dukshëm më të cenuara nga ky fenomen dhe rrjedhimisht në pozitë më të pafavorshme për të adresuar dhunën përmes mekanizmave ligjor dhe institucional. Fatkeqësisht kjo ndodh për shkak të mungesës së informacionit të duhur juridik, mungesës së mjeteve financiare dhe mungesës së qasjes në mekanizmat mbrojtës institucional. Masat parandaluese të kufizimit të lirisë së lëvizjes, të vëna për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të Kosovës nga përhapja e pandemisë Covid-19, shpërfaqën më tutje problemet në marrëdhëniet familjare dhe dhunën në baza gjinore.

Sipas një studimi të realizuar nga USAID, gratë tregojnë nivelet të ulëta të besimit në aftësitë e tyre për të realizuar të drejtat e tyre përmes rrugëve ligjore, kanë mungesë të njohurive se ku të shkojnë të kërkojnë ndihmë dhe nuk kanë njohuri për mekanizmat që ofrojnë qasje në drejtësi, siç është Agjencia për Ndihmë Juridike Falas [Hartëzimi i Nevojave të Komunitetit për Drejtësi, Aktiviteti i USAID-it “Drejtësia Vlen”, Dhjetor 2019, faqe 27].

Sidoqoftë, duket se në vitet e fundit ka pasur përmirësim në rritjen e raportimeve të dhunës në baza gjinore, angazhim më serioz të institucioneve për ta luftuar këtë dukuri, si dhe bashkëpunim ndërinstitucional duke përfshirë këtu edhe organizatat e shoqërisë civile. Sipas raporteve të Policisë së Kosovës, në krahasim me vitin 2019, këtë vit, numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje është rritur për 30%. E kjo rritje e numrit të raportimeve të rasteve, rrit mundësinë e zgjidhjes së problemit për viktimat, në krahasim me rastet të cilat nuk lajmërojnë dhunën. Këto të dhëna nuk janë të gjitha negative dhe duhet nënkuptuar si sinjal pozitiv në përpjekjet tona për të adresuar dhunën në baza gjinore. Kështu, fushatat vetëdijësuese kanë filluar të arrijnë tek publiku dhe dhuna që ushtrohet prapa mureve të shtëpisë ka filluar të shpërfaqet. Në të njëjtën kohë, vërehet se edhe qasja institucionale karshi dhunës ka filluar të jetë prioritet. Ky konstatim vije si derivat nga përvoja e dorës së parë gjatë implementimit të projektit “Përmirësimi i qasjes dhe rritja e përgjegjshmërisë së grave për shërbimet e ndihmës juridike falas përmes ngritjes së vetëdijes dhe kapaciteteve” projekt ky i mbështetet nga USAID nën skemën e programit Drejtësia Vlen. Isha dëshmitare e angazhimi të pakursyer të institucioneve tona, gatishmërisë së tyre për të bashkëpunuar edhe me mekanizma jashtë-institucional për të arritur një efekt më të madh e gjithëpërfshirës në luftimin e dhunës në baza gjinore.

Bashkëpunimi me institucionet si: Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Avokati i Popullit, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, janë indikator i angazhimit serioz të institucioneve për të ndihmuar qytetarët në trajtimin e problemeve me ndjeshmëri më të lartë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Kjo mund të mos jetë e tëra, por definitivisht është fillimi i një qasje serioze kundrejt problematikës.

Përpjekjet për shpërndarjen e informacionit për mekanizmat që ofrojnë qasje në drejtësi duhet të jenë të vazhdueshme. Burimet e informacionit duhet të jenë të dizajnuara posaçërisht për gratë. Nga përvoja ime në implementim të projektit, rezulton që gratë preferojnë të shfrytëzojnë teknologjinë dhe aplikacionet online për t’u informuar dhe të marrin kurajën që të raportojnë dhunën. Rrjedhimisht, dizajnimi i zgjidhjeve siç është aplikacioni “Afër teje”, mund të kontribuojnë që çdo grua në rrezik nga dhuna në baza gjinore, të ketë mundësinë të informohet saktë dhe pa pagesë për institucionet të cilat mund ta ndihmojnë. Andaj, modaliteti të ngjashme inkurajohen që të implementohen edhe në të ardhmen.

Një tjetër formë e pëlqimit të informacionit juridik te viktimat dhe viktimat potenciale të dhunës në baza gjinore, mund të jetë edhe përmes nismave të implementuara nga të rinjtë. Të rinjtë, si kapital jo-mirë i shfrytëzuar në shoqërinë tonë, kanë potencialin dhe motivin që të shërbejnë si mekanizëm i shpërndarjes së informacionit te moshatarët, por edhe te familjet e tyre. Kështu, projekti filloi me realizimin e sesioneve informuese rreth të drejtave ligjore dhe mekanizmave që ofrojnë qasje në drejtësi, në shkollat e mesme të zonave rurale. Kjo nismë rezultoi e suksesshme që në fillimet e saj, por për fat të keq u ndërpre në gjysmë për shkak të situatës me pandeminë Covid-19. Mirëpo, mendoj që nisma të tilla duhet të vazhdojnë të përkrahen në të ardhmen nga komuniteti i donatorëve si dhe institucionet tona gjegjëse.

Në Kosovë ekziston një infrastrukturë e avancuar ligjore sa i përket mbrojtjes të të drejtave të njeriut nga dhuna e çfarëdo lloji. Çfarë na mbetet për t’u bërë është informimi i grupeve të caktuara për të drejtat ligjore që kjo infrastrukturë ligjore u garanton dhe mekanizmat përmes së cilave mund t’i realizojnë këto te drejta. Njëkohësisht duhet të punohet në drejtim të ofrimit të informacionit që rritë e ndjenjën e sigurisë dhe besueshmërinë e qytetarëve në institucioneve tona. Promovimi i storieve të suksesit, qon në këtë drejtim dhe rrjedhimisht ndikon në rritjen e rasteve të raportuara.

Krahas përmirësimit të qasjes në informacion juridik dhe mekanizmat raportues, duhet të sigurohet ruajtja e privatësisë. Vetëm në këtë mënyrë viktimat inkurajohen të ndërmarrin hapin e parë të raportojnë abuzuesin, të marrin fuqinë të largohen nga abuzuesi dhe të jenë shembull inkurajues për të tjerët.

Të gjitha këto, janë të mundshme vetëm përmes një bashkëpunimi të mirëfillte të të gjithë aktereve të përfshirë. Organizatat e shoqërisë civile duhet të kenë një qasje konstruktive ndaj punës së institucioneve që kanë për mandat adresimin e dhunës në baza gjinore duke promovuar storiet e suksesit dhe duke dhënë rekomandime konkrete për të adresuar mungesat në sistem. Në anën tjetër, institucionet relevante duhet të rrisin përpjekjet e tyre për të ofruar informacionet e nevojshme për të drejtat e viktimave dhe shërbimet që ata i ofrojnë. Organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet duhet të llogarisin në partneritet të ndërsjellë dhe vetëm së bashku mund të ju përgjigjen nevojave të viktimave për drejtësi.

* Ky editorial është sponzorizuar si pjesë e projektit “Përmirësimi i qasjes dhe rritja e përgjegjshmërisë së grave për shërbimet e ndihmës juridike falas përmes ngritjes së vetëdijes dhe kapaciteteve” të implementuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe është mundësuar nga programi i USAID-it, Drejtësia Vlen.