Arbëri

Qeveria, MPJ-ja e Presidenca nuk japin detaje, pritet zyrtarizimi i njohjes nga Izraeli

Në diskrecion të plotë e pa dhënë shumë detaje, është duke u zhvilluar procesi i finalizimit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

KOHA në fillim të kësaj jave ka kërkuar detaje lidhur me këtë proces, por nuk ka marrë përgjigje nga asnjë prej institucioneve. Pyetjeve të televizionit nuk i është përgjigjur as Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra e Kryeministrit e as ajo e Presidentit të Kosovës.

Megjithëkëtë, ministrja Meliza Haradinaj, gjatë raportimit të saj në Komisionin për Integrim Evropian, ka bërë të ditur se muajin e ardhshëm do të udhëtojë për në Izrael.

“Ma shumë nuk mundem me dhënë informata por e di që shumë shpejt ka me pas një vizitë në Izrael dhe jemi duke punuar në finalizimin e këtyre detajeve sa i takon nënshkrimit të marrëdhënieve diplomatike me Izarelin”, ka deklaruar Haradinaj. 

Në anën tjetër, nga Ministria e Jashtme e Izraelit kanë thënë se janë duke punuar për koordinimin e hapave për këtë proces.“Ministria e Jashtme e Izraelit dhe ajo e Kosovës po koordinojnë hapat në përputhje me atë që u ra dakord në bisedën midis ministrave të Jashtëm. Këto çështje do të publikohen në kohën e duhur”, ka thënë Nizar Amer. 

Me gjithë punën që do të bëhet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, kryeministri Avdullah Hoti të mërkurën ka thënë se njohja nga ky shtet është kryer në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne tash po punojmë në konsultim, ministrja e Jashtme është në konsultim me Izraelin, me homologun e saj për të ndjekur procedurat e nevojshme në bazë të ligjeve tona dhe logjeve të Izraelit në vendosjen e marrëdhënieve tona diplomatike”, ka deklaruar Hoti. 

Njohja nga Izraeli ka qenë një nga pikat e marrëveshjes së arritur në Washington, më 4 shtator.