5 perditesime
00:27

Hoxha: Ish-ministri Beqaj me të drejtë nuk ka folur në Komision

Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, ka mbrojtur paraqitjen e ish-ministrit dhe bashkëpartiakut Besim Beqaj para Komisionit hetimor parlamentar për procesin e privatizimit.

Hoxha ka thënë se Beqaj me të drejtë nuk u është përgjigjur disa pyetjeve të deputetëve për të mos e dëmtuar procesin gjyqësor.

Ndaj ish-ministrit Beqaj, ka aktakuzë tashmë për procesin e privatizimit të KEDS-it.

“Si parti jemi e qendrës së djathtë, jemi parti që e mbështesim procesin e privatizimit. Një proces i cili i ndihmon qytetarët dhe bizneset. Ka raste kur është abuzuar me procesin e privatizimit, por e rëndësishme është të thuhet se, pa dashur të lehtësojë pjesën e qeverisë, AKM-ja e më pas AKP-ja i raportojnë Kuvendit dhe vendimmarrja nuk ka qenë e asnjë qeverie, por ka qenë pjesë e AKP-së. Në kuadër të privatizimit të KEDS-it, që është privatizuar, kemi pasur edhe intervistimin e ish-ministrit Besim Beqaj, i cili është përgjigjur në shumicën e pyetjeve të deputetëve. Normalisht për shkak se lënda për KEDS-in është pjesë e gjyqësisë dhe ka disa aktakuza të ngritura ndaj z. Beqajt, Mimoza Kusari-Lilës dhe disa ish-ministrave të kohës, Beqaj me të drejtë ka thënë se nuk do të mund të lëshohet në detaje, pasi do t'i shpalosë në seancën e parë. Nuk ka qenë çështje e pengimit të deputetëve, siç është munduar të shitet nga komisioni”, ka thënë Hoxha.

Beqaj pas raportimit në Komision ditë më parë, u kritikua ashpër nga deputetët, për mosgatishmëri për të folur rreth çështjes për çka është ftuar. Pati edhe përplasje e fyerje.

 

00:18

Hoxha: Kur të përfundojnë hetimet e komisionit, do të befasoheni me emrat që kanë privatizuar

Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, ka thënë se kur të përfundojnë hetimet e Komisionit hetimor për çështjen e privatizimit do të ketë befasi.

“Opinioni do të befasohet kur të dalin emrat e atyre që kanë privatizuar dhe që do të dalin pikërisht ata persona të cilët kanë folur më së shumti për procesin e privatizimit. Do të thotë kanë abuzuar me këtë temë”, ka thënë Hoxha.

Ai thotë ata janë persona nga të gjitha partitë.

“Janë persona nga të gjitha partitë politike në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës, për 20 vite këtë faturë të privatizimit e ka paguar para qytetarëve vetëm PDK-ja. Tash kanë me e kuptuar qytetarët se kush janë privatizuesit dhe kush janë abuzuesit me pronat publike në Kosovë. Fillimisht do t'i zbulojmë ata që kanë privatizuar direkt, familjarët e tyre, por pse jo edhe personat që kanë lidhje me partitë politike në Kosovë”, ka thënë ai.

00:12

Hoxha: Në procesin e privatizimit është atakuar padrejtësisht PDK-ja

Deputeti Sejdi Hoxha në Interkativ të KTV-së se PDK-ja është atakuar padrejtësisht këto 20 vite për privatizimin në Kosovë.

“Çështja e privatizimit është diskutuar shumë në 20 vitet e fundit dhe nga këto diskutime më së shumti është atakuar padrejtësisht PDK-ja nga të gjitha partitë politike. Duke marrë parasysh këtë rast ne kemi pritur momentin derisa të vijmë në opozitë sepse po ta inicionim një kërkesë të tillë sa kishim qenë në pozitë dikush kishte mundur të mendojë se tash po mundohen të manipulojnë dhe me i fshehë të gjeturat nga procesi i privatizimit”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka shtuar se kjo është një iniciativë që e ka nisur vet Kadri Veseli në Kuvendin e Kosovës për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar.

“Kjo iniciativë është përkrahur nga deputetët e Kuvendit dhe komisioni ka filluar punën. Është një proces jo i lehtë sepse bëhet fjalë për 20 vite privatizim, edhe gjatë kohës së AKM-së 2000-2008”, ka thënë ai.

Hoxha thotë se do të befasohet publiku kur të përfundon raporti për privatizimin.

“Përmes kësaj kemi kërkuar që të hetohet komplet procesi i privatizimit, cilat janë ndërmarrjet që janë privatizuar, a e kanë humbur, ndryshuar orientimin, veprimtarinë e biznesit. A ju kanë përmbajtur kontratave, kush janë personat të cilët kanë privatizuar, cila është lidhja e tyre me partitë politike dhe ne kemi mbajtur edhe një konferencë për media dhe kemi theksuar se opinioni do të befasohet kur do të dalin emrat e atyre që kanë privatizuar”, ka thënë Hoxha.

00:10

Hoxha: VV-ja duhet të punojë më tepër për të sjellë në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti Sejdi Hoxha mendon se VV-ja duhet të punojë më tepër rreth iniciativës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.

Hoxha në një intervistë në Interaktiv të KTV-së ka thënë se PDK-ja nuk do të japë votat që mocioni të shkojë në Kuvend, por nëse mbërrin aty, do të votojë për largimin e Hotit nga kabineti qeveritar.

“VV-ja duhet të punojë më shumë. Ne edhe kur është shkarkuar qeveria Kurti nuk kemi dhënë nënshkrimet për mocion, por kur ka ardhur në Kuvend e kemi votuar, kemi dhënë premtim publik se të njëjtën praktikë do ta ndjekim sërish për qeverinë Hoti, e cila është një qeveri e lodhët, e dështuar dhe e cila është duke dështuar edhe në menaxhimin e situatës financiare, edhe skandalet e fundit. VV-ja duhet të punojë më tepër me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani edhe me një pjesë të deputetëve që janë brenda LDK-së dhe që janë të pakënaqur me këtë qeveri”, ka thënë Hoxha.

Këtë “inat”, ai e ka arsyetuar me atë që e ka quajtur shou mediatik nga ana e VV-së.

“Këtë e kemi quajtur shou mediatik, nuk është e përgjegjshme që t'i kërkohet një partie politike bashkëpunimi për ta rrëzuar një qeveri dhe iniciativën për këtë ne e kemi mësuar përmes mediave, iniciativën e kemi quajtur joserioze. VV-ja është dashur të trokasë në dyert e PDK-së, t’i jep arsyet e shkarkimit, të dakordohemi paraprakisht dhe pastaj të shkojmë në Kuvend të sinkronizuar. Kjo nuk kanë ndodhur, por prapë qëndrojmë prapa asaj se kjo qeveri duhet të largohet sa më shpejt”, ka thënë deputeti i PDK-së.

 

23:55

Hoxha: Qeveria ka dështime të shumta, nuk po funksionon si duhet

Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, vlerëson se Qeveria Hoti po i rreshton dështimet nga dita në ditë, mirëpo partia e tij refuzon të japë nënshkrimet për të thirrur mocionin e mosbesimit, të iniciuar nga VV-ja.

Hoxha në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se PDK-ja nuk do të përkrah mocionin, por nëse ai mbërrin në Kuvend, atëherë do të përkrah rrëzimin e Qeverisë Hoti.

“Çdo ditë e kësaj qeverie është e tepërt për t'i udhëhequr qytetarët e Kosovës. Çdo ditë e më tepër po dëshmon se është duke punuar kundër interesit të qytetarëve, edhe në aspektin ekonomik edhe në aspektin e ndihmës ndaj bizneseve dhe qytetarëve. Mos të harrojmë faktin se kësaj qeverie i janë dashur 6 muaj që ta kalojë vetëm një pako fiskale për t’i ndihmuar bizneset. Ne edhe pse jemi parti opozitare, si PDK kemi ofruar një pako fiskale të modeluar financiarisht, e përgatitur në bashkëpunim edhe me odat ekonomike edhe me bizneset dhe imagjinoni një qeveri e hedh në votim gjashtë herë radhazi një pako dhe nuk e lë inati një kryeministër, me u ulë me PDK-në e me harmonizu një pako fiskale”, ka thënë Hoxha.

Ai ka folur edhe për dështimet sipas tij, që po bën Qeveria Hoti në rrafshin ndërkombëtar. Ka përmendur edhe mini-Schengenin, që dikur kritikohej nga LDK-ja e Isa Mustafa, kurse tash është përqafuar si ide.

23:49

Hoxha: Zyrtari i arrestuar nuk është nga radhët e PDK-së, Ministrja duhet të japë dorëheqje

Deputeti Sejdi Hoxha ka thënë se zyrtari i arrestuar për vjedhjen në Thesarin shtetëror nuk është nga radhët e PDK-së.

Ai ka kërkuar edhe dorëhqjen e ministres së Financave, Hykmete Bajrami, duke thënë se ajo ka dështuar në menaxhim.

“Skandali që ka ndodhur sot në Ministrinë e Financave është një skandal jashtëzakonisht i madh i cili e cenon sigurinë e sistemit financiar në Republikën e Kosovës. Për mua është shumë e quditshme se si ka dështuar edhe menaxhimi i sistemit të kontrollit financiar brenda Ministrisë së Financave, sepse në një shtet ligjor nuk do të ishte aq e lehtë që të bëhen keqpërdorime të tilla dhe të transferohen shuma të mëdha parash tek kompanitë e ndryshme”, ka thënë Hoxha. “Kjo ministre është shumë e papërgjegjshme karshi sistemit të kontrollit financiar”.

Tutje ai ka thënë se i arrestuari për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit nuk ka qenë asnjë herë pjesë e strukturave të PDK-së.

“Nuk ka qenë i emëruar nga PDK-ja por nga kryetari i komunës, sepse është kompetencë e tij. Lladrovci në një reagim e ka pranuar se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të PDK-së, por e ka marrë dhe e ka emëruar drejtor të financave në bazë të përvojës së tij që ka pasur në Ministrinë e Financave. Ne kemi hulumtuar sot të gjitha data bazat edhe në nivel të degës së PDK-së në Drenas, por edhe në nivel qendror të PDK-së dhe në asnjë nga data bazat nuk figuron që personi në fjalë ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës. As i zgjedhur e as i tentuar për t'u zgjedhur”, ka thënë ai.

Hoxha ka kërkuar dorëheqjen e Bajramit.

“Ministrja e Financave Hykmete Bajrami për shkak të mos ushtrimit të veprimit të funksionit të saj si ministre, për shkak të menaxhimit duhet të japë dorëheqje”, ka thënë ai.