5 perditesime
23:57

Musliu: Shqetësues largimi i Ambasadës Amerikane nga procesi i zgjedhjes së kryeprokurorëve

Betim Musliu e ka quajtur shumë shqetësues largimin e Ambasadës Amerikane nga procesi i monitorimit të zgjedhjes së kryeprokurorëve.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se më nuk ka siguri se nga proceset do të dalin kryeprokurorë me integritet.

“Për ne është tepër shqetësuese, ne nuk e kemi një siguri, siç është Ambasada Amerikane për me siguru një proces me integritet në zgjedhjen e kryeprokurorëve dhe kjo është zhgënjyese. Nuk ka ndonjë shpresë se tash e tutje do të kemi një proces, prej të cilit do të dalin njerëz që e meritojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë është shembur një punë e bërë me vite dhe ku janë investuar miliona e miliona dollarë nga SHBA-ja.

Ai e ka quajtur tejet zhgënjyese këtë mosmirënjohje të politikës kosovare ndaj SHBA-së, e cila sipas tij, ka trajnuar prokurorë, gjyqtarë e staf, i ka marrë për punë praktike në SHBA dhe në fund, është tërhequr duke thënë “po heqim dorë, se nuk po merrni vesh”.

“E kemi thënë, përpara politika na ka vendos njerëz kyç në pozita të caktuara, si kryeprokuror, drejtor Policie, e drejtor në Krime Ekonomike, e që ishin argat të politikës. Tash me kalimin e kohës, edhe pse kemi paralajmëruar, këto grupe përbrenda Policisë, prokurorisë e gjyqësorit, janë forcuar aq shumë sa që kanë bërë miliona dhe me këta miliona nuk po e njohin as politikën që dikur e kanë pasur shef. Tash këto grupe paraqesin rrezik edhe për Policinë, edhe për prokurorinë edhe për gjyqësorin dhe, edhe për politikën, sepse janë grupe të fuqishme që e përdorin mandatin e tyre ligjor për me i shty agjendat e tyre përpara”, ka thënë Musliu.

 

23:49

Musliu: LDK-ja po e do hisedarin e vet në Polici

Betim Musliu nga IKD ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po e kërkon hisedarin e vet në Polici.

Ai ka thënë se partnerët e koalicionit pozitat në polici i kanë ndarë me marrëveshje.

“Asnjëherë në marrëveshjen e koalicionit nuk është futur që drejtori i Policisë i takon PDK-së e zëvendësdrejtorët një i takon LDK-së e tjetri AAK-së. Kjo nuk shkruhet në marrëveshjen e koalicionit por praktikisht kjo është marrëveshja ”, ka thënë ai.

Musliu tutje ka shtuar se ministri i Brendshëm, Agim Veliu do të ketë detyra për kryesuesin e Policisë, e që sipas tij do t’u përgjigjen kërkesave të bizneseve që kanë qenë duke u hetuar.

“Tani nuk e kemi PDK-LDK në koalicion dhe natyrisht LDK-ja po e do hisedarin e vet e që është në anën e tyre, e që nga Agim Veliu do të ketë detyra që do t’i përgjigjen kërkesave të bizneseve që kanë qenë duke u hetuar. Krejt qëllimi i shuarjes është që t’i ndalojnë rastet e mëdha që janë të afërta me LDK-në e AAK-në”, ka thënë ai.

 

23:45

Musliu: Do të pushojnë hetimet për rastet që po hetoheshin nga task-forca

Betim Musliu nga IKD ka thënë se për rastet të cilat po hetoheshin nga task-forca do të pushojnë hetimet.

Ai ka thënë se ky vendim është marrë pasi partitë nuk kanë mundur t’i bindin hetuesit që të mos hetohen zyrtarët e tyre.

“Vendimi për t’iu hakmarrë në këtë formë ndaj task-forcës është kërkesa e cila kur nuk ka dhezë të hetuesit e kësaj task-force që ata të mos i hetojnë zyrtarët e lartë të LDK-së, AAK-së e partive tjera, atëherë kjo kërkesë është shndërruar në kërcënim”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se hetuesit e kësaj task-force janë kërcënuar për rastet që janë në procedurë të hetimeve.

“Në vend se këta hetues të mbështeten ata po kërcënohen, nga ata që do të duhej të jepnin përkrahje”, ka thënë ai.

Musliu ka thënë se me shuarjen e task-forcës, rastet do të delegohen në Polici dhe që aty t’i gjejnë hetuesit e vet e rastet t’i menaxhojnë ashtu siç ata dinë, e pastaj të hedhen e të mbyllen hetimet.

“Do të duhej që task-forca në Policinë e Kosovës si mekanizëm të mos cenohej dhe policia në kuadër të institucionit të vet ta adaptojë, të mos e prek celulën e saj dhe në kuadër të organogramit të adaptojë në kuadër të programit të vet. Policia ka mundësi të krijojë ekipe të hetimeve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se qëllimi i Qeverisë Hoti është që të krijohet mjegull dhe të përmbyllen të gjitha ciklet dhe të mos rrezikohet koalicioni aktual nga aktakuzat që do të mund të ishin ngritur.

 

23:38

Musliu për shuarjen e Task-forcës: Besoj që kjo është vepër e Agim Veliut

Betim Musliu vlerëson se pas kryeministrit Avdullah Hoti për vendimin që mori të hënën për shuarjen e Task-forcës brenda Policisë për luftimin e korrupsionit, qëndron diksush

Dhe, ai në një intervistë dhënë në KTV, tha se ky “është stil i Agim Veliut”, ministër i Mbrojtjes.

“Avdulla Hoti! Unë nuk kam besuar në asnjë formë që një profesor që njihet pak sa për reputacion të mirë, si njeri i urtë, vjen në përfundim me zbatu politika kriminale të cilat e luftojnë çdo mekanizëm që e lufton korrupsionin. Unë besoj që kjo është Agim Veliu style, e sponsorizuar prej tij, pasi ai është afër atyre grupeve, që përbrenda Policisë së Kosovës janë njohur si tejet të rrezikshme, që i kanë udhëheq dhe i udhëheqin sot të gjithë tenderët publikë, duke i persekutuar kompanitë që nuk janë të afërta me ta dhe duke iu krijuar favore deri në OSHP atyre kompanive”, ka thënë Musliu nga IKD-ja.

Ai e ka vlerësuar këtë që ndodhi të hënën si një prej lajmeve më të këqija. Ai ka lavdëruar punën e Task-forcës, duke thënë se ka hetuar zyrtarë të të gjitha partive dhe duke treguar guxim e profesionizëm.

Ai po ashtu ka akuzuar edhe prokuroritë, duke thënë se ato nuk kanë ndjekur punën e kësaj task-forcë. Sipas tij, prokuroritë e kanë sfiduar këtë task-forcë duke ngritur në fund akt-akuza “të lodhta”.

“Nëse do të kishte prokurori që do të udhëhiqte këtë Task-forcë, hetimet do të ishin shumë më të mira. Kjo task- forcë e ka hetuar rastin që është ngritur aktakzuë për aferën e madhe të përgjimeve ‘Pronto’, pra keni pa që ka qenë e gjithë struktura e PDK-së, pra ka pasur guxim, ka pasur profesionalizëm që kjo çështje të shkojë deri në hetim, edhe pse hetimi nuk ka qenë shumë i mirë, është ndërtuar një aktakuzë shumë e lodhur që në fund u dha një dënim me kusht. Tjetër është rasti i ish-kryetarit të Gjilanit, Qemal Mustafa, e dini aferën e famshme të tij. Është ish-kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota. Tjetër, është ish-kryetari i komunës së Skënderajt për tenderin e famshëm 6-milionësh të KEJ-ut. Është kryetari i komunë së Gjakovës, Pal Lekaj. Pra ka një laramani, janë krejt zyrtarët e partive politike, rastet janë dorëzuar në prokurori, e cila prokurori me mish e me shpirt është munduar dhe i ka sfiduar këta hetues të Task-forcës dhe u ka pamundësuar me pas rezultate konkrete”, ka vlerësuar Musliu.

 

23:34

Musliu tregon rastet që po hetoheshin nga task-forca që u shua

Betim Musliu nga IKD-ja ka treguar për rastet që po hetoheshin nga task-forca për luftimin e korrupsionit, e cila u shua sot me vendim të qeverisë.

Ai ka thënë se një nga rastet është ai i homologimit. Sipas tij, ky tender është 45 milionësh dhe çdo ditë nga ai dëmtohen qytetarët.

“Çdo ditë ka pasur argumente se si është shkelur ligji dhe përfitimet milionëshe shkojnë tek dikush që janë përfitues të këtij tenderi. Është autostrada e Gjilanit me tender prej 110 milionë eurosh, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është edhe zona ekonomike në Malishevë e cila ka 7 milionë e gjysmë euro.

“Tjetër është 53-milionëshi i famshëm i Bechtel-Enkas, ku janë të përfshirë shumë emra të Aleancës që nuk duhet shumë hetim penal për t’u vërtetuar përgjegjësia penale në këto raste ku korrupsioni po ecë në këmbë. Tjetër është një nga rastet më të mëdha, me 20 milionë euro, është rasti i pasaportave-2 ku një numër i madh i zyrtarëve publik janë të përfshirë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka përmendur edhe rastin “Uniforma”, për të cilin thotë se është rast aktiv porse është ndalur.

Musliu tutje ka shtuar se një nga rastet tjera është edhe ai i “Beni-Dona” e cila, sipas tij, përmes dokumenteve të falsifikuara ka fituar tenderin për ushqim të ushtrisë që është 9 milionë euro.

Ai ka thënë se të gjithë këta janë ‘dosta’ të kryeprokurorit Aleksandër Lumezit.

 

23:33

Musliu: Shuarja e task-forcës për luftimin e korrupsionit është vendim hakmarrës

Betim Musliu nga IKD-ja ka thënë se vendimi për shfuqizimin e task-forcës për luftimin e korrupsionit është vendim hakmarrës.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ky është një prej vendimeve më skandaloze që Qeveria Hoti e ka marrë.

“Është një prej vendimeve më skandaloze nga Qeveria Hoti e cila po e dëshmon që është ajo qeveri që është duke luftuar një mekanizëm i cili e ka luftuar çdo veprimtari korruptive që është lidhur me profilin e lartë. Unë besoj që vendimi i sotëm paraqet një nga vendimet më hakmarrëse dhe persekutuese dhe paraqet mungesë të sigurisë juridike për qytetarët e Kosovës sepse sot për sot askush nuk është i sigurt”, ka thënë ai.

Musliu tutje ka shtuar se në këtë vendim shihet se hakmarrja e qeverisë është në masë persekutuese ndaj gjithë hetuesve dhe gjithë task-forcës, e cila sipas tij, është duke i hetuar pjesëtarët e Qeverisë Hoti për veprimtari të mëdha korruptive.

“Vendimi është skandaloz dhe është mesazh i poshtër për të gjithë ata që janë bartës në funksionet publike sidomos ata që janë në sistemin e drejtësisë, po ju thuhet se të gjithë ju që na cenoni neve, që na rrezikoni si zyrtarë publik atëherë ne do ta shfrytëzojmë çdo mundësi që t’iu luftojmë”, ka thënë ai.

Ai thotë se kjo task-forcë është themeluar në vitin 2010 si kërkesë e BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët kanë konsideruar që në kuadër të prokurorisë speciale duhet ta jetë edhe një mekanizëm hetues i cili luan rolin e një policie gjyqësore që është në mandat të drejtpërdrejtë të Prokurorisë Speciale.

“Për 10 vjet nuk është që ka shkëlqyer kjo task-forcë, jo pse nuk kanë bërë punë, porse shkëlqimi ka munguar se të gjitha rastet në një apo tjetër formë janë dështuar me qëllim nga pakurorë të cilët janë udhëhequr në stilin ‘alla-pronto’ e që qellim nuk e kanë pasur ta udhëheqin secilin hetim por që këta i kanë sfidu në secilin hap të punës së tyre që ata të mos jenë të suksesshëm”, ka thënë ai.