Arbëri

Bislimi: Tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti ndihmon qytetarët

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka deklaruar se tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti, do ndikojë në ekonominë e tërë vendit.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se sipas projektligjit që shpreson të kthehet në ligj, është e kuptueshme që për një pjesë të qytetarëve që kanë kontribute të pakta në Trust, shuma e tërhequr nuk do ua lehtësojë barrën e shkaktuar.

“Ajo çka na intereson në aspektin makroekonomik, është fakti që tërheqjet pritet të jenë 200 milionë euro, dhe futja e kësaj paraje në tregun e Kosovës, do rigjenerojë fonde të tjera dhe njerëzit do fitojnë në përgjithësi”, ka deklaruar Bislimi.

Deputetit i LDK-së tutje ka thënë se personat që e tërheqin shumën e caktuar nga Trusti, nuk do i marrin si benefit financiar dhe nuk do të kenë obligime financiare ndaj shtetit.