Paralajmërohen “masa të reja shtrënguese” nëse numri me koronavirus rritet në Kosovë

Paralajmërohen “masa të reja shtrënguese” nëse numri me koronavirus rritet në Kosovë
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka mbajtur konferencë për media sot me rastin e 100-ditëshit të qeverisjes. Gjatë kësaj konference, ai ka thënë se nëse vazhdon rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus, do të mund të ketë “masa të reja shtrënguese të domosdoshme”.
Duke përmendur sfidat me pandeminë, ai ka folur edhe për rezultatet që thotë t’i ketë arritur.
“Në dy ditët e fundit kemi pasur rritje të rasteve me Covid-19, që na jep të kuptojmë se nuk është momenti për të ulur ritmin e angazhimeve, inspektimeve dhe masave të tjera kundër këtij infeksioni. Për më tepër, shohim se mungesa e disiplinës në institucione të ndryshme, komunitet dhe gjithashtu edhe fluksi I ardhjes së qytetarëve tanë nga vendet me rrezik më të lartë, kanë bërë që të ketë një rritje, e cila nga ne kërkon angazhim dhe kujdes maksimal”, tha ai.
Zemaj shtoi se më 25 shtator është bërë lirimi i masave, porse, siç shprehet ai, nëse nuk përcillen udhëzimet dhe nuk respektohen masat, “në ditët në vijim, masa të reja shtrënguese janë të domosdoshme”.
“U bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojmë me disiplinë në: Bartjen e maskës, ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e higjienës”, tha ai.
Në dy ditët e fundit, shtoi Zemaj, ka rritje të rasteve me të infektuar me Covid 19: dje 79, kurse sot 80 raste pozitive nga 764, përkatësisht nga 566 mostra të 24 orëve të fundit.
Prej këtyre rasteve, 21 janë në Prishtinë dhe prej tyre:
4 nxënës,
1 profesor,
1 programer,
1 kontroller i trafikut ajror
1 laborant
2 pensionistë,
3 ekonomistë në institucione publike
1 auditor
1 amvise
1 mjek
1 zyrtar i një ambasade të huaj
1 në FSK
1 gazetar dhe
1 polic.
Si rezultate të këtij 100-ditëshi, Zemaj ka përmendur kapacitet nëpër spitale, shtimin e resurseve humane, testimet për COVID-19.

Zemaj si arsye për rritjen e rasteve me COVID-19 përmend edhe ardhjen e bashkatdhetarëve
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se është koha për të vepruar urgjentisht për ta parandaluar përkeqësimin e situatës, që sipas tij, “kemi veç shenjat e para”.
Ai pas takimit me Komitetin për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës lidhur me COVID-19, tha se rritja më e madhe e rasteve po vjen nga institucionet publike duke përmendur edhe si arsye ardhjen e bashkatdhetarëve.
“Sipas të dhënave tona rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike, që është një tregues shumë i keq dhe që flet se ajo që është thënë në takimin e fundit të Komitetit se ka mos-dicipilinë në administratën shtetërore sa u përket zbatimit të masave, po del të jetë e vërtetë, pa i harruar institucionet e tjera dhe veçmas sektorin e gastronomisë, i cili bën presion çdo ditë, iu dha edhe më shumë kohë për të ushtruar veprimtarinë për një orë më shumë, ndërsa në anën tjetër nuk zbatohen masat”, ka shkruar në Facebook.
Zemaj ka kërkuar nga Policia dhe inspektoratet e komunat që të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës.
Ndërkaq, nga institucionet ka kërkuar që t’i ndalin seminaret, punëtoritë dhe format e tjera të organizimit ku ka grumbullim njerëzish si dhe veprimtaritë tjera.
Por, Zemaj shton se në rritjen e rasteve ka ndikuar edhe “heqja e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e bashkatdhetarëve këtyre ditëve nga vendet evropiane”.
Sipas tij, ka rënie të disiplinës në bartjen e maskave dhe ruajtjen e distancës.
I pari i shëndetësisë thotë se 37 shkolla janë kthyer në mësim online për shkak të rasteve me COVID-19.
“75 inspektorë të rinj do të kyçen për të ndihmuar në luftimin e pandemisë, si pjesë e grupit prej 375 profesionistëve të angazhuar në menaxhimin e situatës përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare”, shkruan ai tutje.
Nga nëntori, ai thotë se do niset vaksinimi kundër gripit sezonal.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të hënën, Kryesia e Kuvendit shqyrton tërheqjen nga Trusti

Shije e freski me Jaffa Champion Lemonade!

SHBA-ja i përgjigjet Rusisë, publikon faktet për masakrën e Reçakut

Katër raste pozitive me COVID-19 të premten në Kosovë

OJQ-të kërkojnë reagimin e Bërnabiqit për gjuhën urrejtëse të Vulinit për shqiptarët

Nënshkruhet marrëveshja BE-Kosovë për 64 milionë euro

Vdiq babai i Hysni Gucatit

Haradinaj: Vendimi i Qeverisë për pronat e AKP-së është i çuditshëm

Kusari-Lila opozitës: Nuk rrënohet shteti pse ke humbur pushtetin

Kurti: Kam qenë në Shtëpi të Bardhë, vizitën e gjatë atje e kam paralajmëruar

Gjeneralja e parë e FSK-së gradohet në inspektore gjenerale
