Arbëri

Deputeti Arifi nga 1 tetori po e vuan dënimin në burgun e Lipjanit

Deputeti i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi, po vuan dënimin në burgun e Lipjanit për mashtrim me subvencione.

Zyrtari i Lartë për Komunikim me Publikun, Florent Gashi, ka konfirmuar për KOHËN se Arifi që nga 1 tetori është transferuar në Qendrën Korrektuese të Lipjanit.

"Aktualisht është dërguar në Qendrën Korrektuese të Lipjanit. Prej 1 tetorit është transferuar nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë në Qendrën Korrektuese në Lipjan", tha ai.

Etem Arifi është i dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione. Vendimi u bë i plotfuqishëm në janar të vitit 2020. Për dënimin Arifi ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese, por ajo njoftoi më pas se e ka shpallur të papranueshme kërkesën e tij.

Më 29 shtator, Arifi është vetdorëzuar tek organet e drejtësisë pasi deri atëherë ai ndodhej në arrati.