Arbëri

Von Cramon: Po të varej nga Parlamenti Evropian, Kosova do ta kishte liberalizimin e vizave

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se po të varej nga ta, Kosova do ta kishte liberalizimin e vizave.

Këto deklarime Von Cramon i ka bërë pasi i është përgjigjur një postimi në rrjetin social Twitter, të bërë nga faqja “Kosdata”, ku thuhet se vetëm kosovarët s’mund të lëvizin pa viza.

“Njerëz, unë jam e vetëdijshme për këtë fakt. Fatkeqësisht, nuk varet nga unë që të vendos për këtë. Më besoni, nëse ne në Parlamentin Evropian do ta kishim fjalën e fundit, Kosova do t’i kishte të njëjtat mundësi udhëtimi si të gjitha shtetet e tjera evropiane, por është presidenti i Këshillit Evropian ai që e merr vendimin”, ka shkruar ajo, në Twitter.

Von Cramon lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, kishte deklaruar muaj më parë se kjo varet nga një vendim i arsyeshëm i Këshillit Evropian dhe shteteve anëtare.