Arbëri

Burgim i përjetshëm për ish-policin Shefki Spahiu, familja e viktimës në lot

Pas më shumë se një viti, që nga vrasja e 32-vjeçarit Jetmir Aliaj nga fshati Mushtisht i Suharekës në vendin e tij të punës, Gjykata Themelore e Prizrenit ka shqiptuar dënimin më të lartë për vrasësin e tij.

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, është gjetur fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Manipulim i provave”, për çka është dënuar me burgim të përjetshëm.

Ky vendim, ka bërë që familjarë të viktimës të shpërthejnë me lot.

Në seancë, nuk kanë qenë të pranishëm as i akuzuari Shefki e as mbrojtja e tij, por avokati i tij, Emrush Kastrati, përmes telefonit ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit, pasi sipas tij procesi është përcjellë me shumë shkelje.

Derisa familjarët para shpalljes së aktgjykimit thanë se pavarësisht se djali i tyre u vra nga një pjesëtar i policisë me armë zyrtare, nuk kanë pranuar asnjë ndihmë institucionale.

Jetmir Aliaj ishte vrarë paraditen e 17 marsit të 2019-s në një kazino afër rrugës për në fshatin Reshtan të Suharekës. Disa ditë pas kësaj vrasjeje, me iniciativë të kryetarit të Suharekës, Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim për mbylljen e të gjitha kazinove.