Arbëri

Hoti s’e di nëse do të ketë takim Kosovë - Serbi më 28 shtator

Foto: Alban Bujari / KOHA

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk e di nëse do të mbahet takimi i paraparë për 28 shtator me Serbinë në Bruksel, pas kushtëzimit që Serbia ka bërë për pjesëmarrjen në dialog me shprehjen e gatishmërisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë çështje, në një konferencë për media të enjten, Hoti ka thënë se ajo është temë e mbyllur.

“Asociacioni nuk do të diskutohet sepse është temë e mbyllur. Nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel, do ta shohim ditëve të ardhshme. Por ne jemi që ta çojmë përpara dialogun”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se kompromisi më i madh që ka bërë Kosova është që ka pranuar të futet në dialog për paqe me Serbinë.

“Kosova i ka kryer kompromiset e saja”, ka thënë ai.

Ndërkaq, para se Hoti të dilte në këtë konferencë, Bashkimi Evropian në një përgjigje për KOHËN ka thënë se së shpejti do të njoftojë për datat e takimeve të radhës Kosovë – Serbi, pas shfaqjes së pengesave për zhvillimin e takimit të ardhshëm.

Sa i përket çështjes së kërkesës së Ramush Haradinajt që ai të jetë president i radhës, Hoti ka thënë se “s’ka koment”, ndërsa “kur të vijë koha e zgjedhjes ulemi dhe e gjejmë një zgjidhje”.

Ndërkaq për shtyrjen e mbledhjes së dy qeverive shqiptare, ai ka thënë se nuk qëndron asnjë çështje tjetër përveç seancës së Kuvendit të Kosovës e cila do të mbahet nesër.

Ai ka thënë se në mbledhjen e dy qeverive nuk ka asgjë urgjente, dhe do të mbahet javën tjetër.

“Një marrëveshje e veçantë do të jetë për këtë linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës. Do të kemi dakordim me Ramën që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe kjo marrëveshje”, ka thënë ai.

Për çështjen e Mini-Schengenit, Hoti ka thënë se kanë marrë zotim se do të jenë pjesë e kësaj iniciative, të barabartë si çdo vend tjetër.

Hoti ka folur edhe për kërkesat e prodhuesve të qumështit që të mos qarkullojë në treg qumështi me vaj palme.

Ai ka thënë se fermerët ka disa javë që kanë probleme me hedhjen në treg të qumështit.

Sipas tij në këtë ka ndikuar pandemia e COVID-19. Ai ka thënë se për shkak të mungesës së konsumit përpunuesit e qumështit nuk po kanë mundësi që të marrin qumështin nga fermerët. Hoti ka thënë se do të vazhdojnë me inspektimet për të mos lejuar që në treg të qarkullojë qumësht me vaj palme.