Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka kërkuar përgjigje nga organet e drejtësisë lidhur me aksionin në Karaçevë, ku u arrestuan 35 persona për krim e kontrabandë. Ka kritikuar ata që s’dhanë informacione lidhur me këtë.
Sipas tij, është e pamundur të ketë arrestime për bixhoz, prostitucion e kontrabandë, e të mos ketë sekuestrime.
“E dëgjova konferencën për media të Prokurorisë në Gjilan, Policisë në Gjilan, dhe IPK-së. Respekt për aksionin dhe arrestimin e mbi 30-të dyshuarve me shpresë se do të zbatohet ligji, procedura në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme. Rezultat kryesor sipas tyre ishte shkatërrimi apo demolimi i objekteve ku është kryer veprimtaria kriminale. Ok, edhe po e marrim si sukses”, shkruan Miftaraj.
Pyetja kryesore në këtë aksion, shkruan Miftaraj, “do ishte, sa milionë Euro janë sekuestruar”.
“Përgjigja si duket ZERO. Në një aktivitet kriminal me mbi 30 të arrestuar për bixhoz, prostitucion, kontrabandë, as edhe një Euro su sekuestru? Qysh ka mundësi? Ose kanë punu me veresi të gjithë, qoftë në bixhoz, qoftë në prostitucion apo kontrabandë, ose iu ka tregu dikush paraprakisht për aksionin. Në këto raste rezultati i policisë dhe prokurorisë matet sa miliona Euro janë sekuestru, apo unë mbase kam mësuar krejtë gabim në shkollë e në dhjetëra trajnime e specializime në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkruan Miftaraj në Facebook.
Sot gjatë ditës, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, majori i PK-së Zejnullah Surdulli dhe kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hoda, përmes një konference shtypi njoftuan për 35 të arrestuar në Karaçevë, në mesin e tyre 12 policë, por nuk ka dhënë asnjë detaj për sekuestrime.