00:21

Berisha: Shteti 20 milionët i ka menduar për milionerët tanë

Avokati Besnik Berisha ka thënë se 20 milionë eurot shteti i ka menduar për milionerët tanë, derisa do të duhej të kishte përkujdesje edhe për dëshmitarët e tjerë që nuk kanë buxhet.

Sipas tij ushtarët dhe komandantët e UÇK-së nuk mbrohen duke pranuar dosje se kush ka quar e kush ka sjellë, por mbrohen duke ofruar këshilla të mirëfillta ligjore, përfaqësim të mirëfilltë, trajtim maksimal të dinjitetshëm.

“Ka edhe shumë që mund të ftohen në cilësi të dëshmitarit dhe mbase nuk i ka as pesë euro me hipë në autobus me ardhë prej Prizrenit në Prishtinë. Ajo çfarë është menduar, shteti ynë çfarë ka menduar deri më sot, ka menduar për ata 20 milionë për milionerat që i kemi ne. Pra, nuk do të duhej të ndaheshin fonde vetëm për milionera, por do të duhej të ndaheshin fonde dhe do të duhej të kishim kujdes edhe për ata që s’kanë, për ata invalidë që as adresën nuk e dinë”, ka thënë Berisha. “E shoh misionin e Dhomave të Specializuara duke u vështirësuar në dritën e dështimi nëse edhe brenda një viti nuk arrijnë të kulmojnë brenda një viti”.

Kurse për Azem Sylën ai thotë se nuk beson se do të ketë aktakuzë.

00:16

Berisha: Thaçi e Veseli nuk e kanë borxh t’i ndihmojnë Speciales

Besnik Berisha, avokat i akredituar për Dhomat e Specializuara në Hagë në Interaktiv të KTV-së e ka quajtur “problem në Kosovën tonë të dashur” faktin se personat që udhëheqin së paku dy prej institucioneve kryesore, janë të dyshuar nga Specialja. Ai është pyetur rreth presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Dhe është logjike të mos pritet bashkëpunim kundër vetes. Sepse këta njerëz, përfshirë Thaçin, Veselin dhe Haradinajn dhe secilin që është intervistuar atje me ftesën e të dyshuarit, jo vetëm që nuk i kanë borxh t’i ndihmojnë, por edhe nuk sanksionohen nëse mund t’i pengojnë”, ka thënë ai.

“Natyrisht nëse mundet pa u kapur”, është shpjeguar ai, më pas.

Ai ka thënë se Speciales “nuk duhet t’i mbesë hatri” që po mundohet t’ia vështirësojë punën Thaçi, Veseli e Haradinaj.

“Por si shtet e kemi obligim ta çojmë këtë mision deri në fund, ta dëshmojmë që nëse në të vërtetë nuk kemi kryer krim, duhet të mos frikësohemi”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se drejtësia që i takon këtij vendi nuk është drejtësi që bëhet në konferenca shtypi.

“Është drejtësi që duhet ta bëjë Gjykata”, ka thënë ai.

Berisha, si ka shtuar se secili prej tyre nuk duhet të bëjnë shumë zhurmë.

“Patjetër që duhet të gjejmë forma të ligjshme për ta bërë mbrojtjen. Ushtarët dhe komandantët e UÇK-së nuk mbrohen duke çuar dosje, por duke marrë këshilla të mirëfillta ligjore dhe trajtim të dinjitetshëm”, ka thënë ai.

00:06

Berisha: Dhomat e Specializuara janë në rrugë të dështimit

Besnik Berisha, avokat, ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së se Dhomat e Specializura janë në rrugë të dështimit.

Ai thotë se dëshmitë që janë marrë deri më sot janë të vlefshme edhe më vonë.

“Dhomat e specializuara tani jo vetëm që tani i nxjerrin zërin, fytyrën e gishtat e nënshkrimin dhe para teje e mbyllin në zarf special e mbylli dëshminë tënde dhe në asnjë variant nuk lënë vend për montimit e ndryshimit dhe një kopje të japin me vete. Nuk mund të thuhet se dëshmitë në rast se ndryshojnë në një stad tjetër nuk mund të jenë kredibile këto që janë grumbulluar sot”, ka thënë ai.

Berisha gjithashtu ka hedhur dyshime se dokumentet në zyrëne e OVL-së së UÇK-së janë të Dhomave të Specializuara.

“Është gabim të thuhet se dokumentet që sekuestrohen në zyrën e OVL-së së UÇK-së janë domosdoshmërisht të Dhomave të Specializuara. Hetuesit e saj janë në aktivitet për çdo ditë në Kosovë e kanë për detyrë që kurdo që përmendet një material, një emër potencial ata të shkojnë dhe ta verifikojnë. Organizata nuk mund të përballet me pretendime për vepër penale, pasi duhet të konfirmohen se ato janë material i klasifikuar nga Dhomat e Specializuara, duhet të konfirmohet se kanë dalë nga aty dyer ai sistem sigurie që kanë aplikuar dhe duhet që të dëmtojnë një procedurë të hetimit”, ka thënë Berisha.

Ai thotë se ka dëshmitarë që kanë mundur të intervistohen edhe në Serbi, derisa thekson se ata mund të paguhen mjaft shumë.

“Ne e kemi pasur një dëshmitar në rastin e Azem Sylës, i cili është intervistuar në Serbi dhe është pyetur nga prokurori special i tyre dhe emri i tij është përmendur gati 200 herë. Dhe sa herë që ai jepte një version të tij Prokurori dëshironte ta kalonte sepse nuk kishte çfarë të thoshte Prokurori i thoshte s’po më intereson kjo pjesë, hajt më jep diçka për Azem Sylën, është e mundur të ketë dëshmitarë të tillë të cilët janë intervistuar në Serbi. Në rastin e Naser Kelmendit një dëshmitar ka marrë pagë prej 1700 euro në muaj, identitet të ri, shtëpi të re dhe ka pas garanca për të marrë veturë deri në dhjetë mijë euro. Pra, janë goxha dorëlirë në raport me dëshmitarët”, ka thënë Berisha.

Sipas tij nëse EULEX-i e ka pas këtë standard, Dhomat e Specializuara duhet ta kenë dyfishin e tyre.

Ai ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë drejt dështimit.

“Dhomat e Specializuara poqëse dështojnë sot, dhe që po besoj se janë në rrugë të dështimit së paku deri më tani. Nëse dështojnë nuk kanë asnjë arsye për ta akuzuar askënd në planet se në Kosovë ka njerëz me të kaluar kriminale”, ka thënë Berisha.

Sipas tij këtë e tregon fakti se pothuajse se gjashtë vjet kanë konsumuar mandatin e tyre, pa ngritur ndonjë aktakuzë.

“Dështimi i tyre për të siguruar prova. Dhomat e Specializuara janë krijuar nën një prezumim se ka prova të mjaftueshme që një vëzhgues objektiv do ta bënin me besu se ka ndodhë diçka se që s’ka ndodhë diçka. Ditën kur është miratuar si ligj është prezumuar që këtu do të ketë drejtësi për shqiptarët, serbët e të gjitha komunitetet, përveç atyre që kanë pasur uniforma veshë”, ka thënë Berisha.

23:55

Berisha: Me këto veprime Specialja po portretizohet si institucion që do të persekutojë në emër të Serbisë

Avokati Besnik Berisha ka thënë se me dokumentet e dorëzuara së fundi në OVL të UÇK-së dhe veprimet e fundit lidhur me këtë çështje, Gjykata Speciale po portretizohet me to dhe se po krijohet përshtypja në opinion se të akuzuarit do persekutohen në emër të Serbisë.

Ai ka thënë se diskutimet se mund të bëhen publike emrat e dëshmitarëve nga ato dokumente mund të jetë presion për ta, të cilët mund t’i çojë edhe në tërheqje të dëshmive.

“Gjykata Speciale është duke u portetrizuar me këto veprime, konferenca e letra jo si një institucion që do ndaj drejtësi për secilin të akuzuar por që do persekutoj në emër të Serbisë, po harrohet se është institucion i BE-së. Imagjinoni cili do jetë vullneti i dëshmitarit, tani do tërhiqen dhe do mendojnë dy herë se mos po i jap dëshmi Serbisë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Berisha thotë se nga përvoja, Dhomat e Specializuara nuk do tërhiqen krahas kësaj nëse dëshmitë janë dhënë në tri format e kërkuara dhe janë të besueshme ato do të jenë të vlefshme.

“Dhomat e Specializuara kanë mësu nga EULEX-i e UNMIK-u. Marrja në pyetje e dëshmitarit bëhet në tri forma, audio, verbatim procesverbali dhe videoincizmi. Pas mbylljes së secilës dëshmi do t'i përsërisin pesë herë nëse ke pasë presion, e ke thënë të vërtetën. Gjyqtarët e dhomave nuk do përmbahen nga gjykimi i dikuj dhe gjetja fajtor të dikuj edhe nëse dëshmitarët do tërhiqen, nëse dëshmitë e tyre sigurohen se janë dhënë në përputhje me ligjin dhe kanë qenë të besueshme në kohën kur janë dhënë”, ka përfunduar ai.

23:40

Berisha: Afera e dosjeve të Speciales, film me skenar dhe aktorë të këqij

Besnik Berisha, avokat i akredituar për Dhomat e Specializuara në Hagë në Interaktiv të KTV-së e ka quajtur “film me skenar të keq dhe aktorë të këqij” aferën e dosjeve në OVL të UÇK-së.

“E kam cilësuar, sot mbase është hera e tretë sot që po e theksoj se është film me skenar të keq dhe aktorë të këqij, me njerëz që po besojnë se po i bëjnë shërbim anëtarëve të Shoqatës së Veteranëve dhe jo vetëm. Por, gjykoj se vetëm sa do t’i sjellë dëm atyre që janë të dyshuar, personave që janë ftuar si dëshmitarë, por dëmi më i madh do të jetë në këndvështrimin e faktorit ndërkombëtar”, ka thënë Berisha, duke sqaruar fillimisht prirjen e tij që “emocionet patriotike t’i ndajë nga argumentet juridike”.

Si ka thënë ai, kjo “lojë me dosje është dhuratë nga Serbia”.

“Kjo për ta bërë Kosovën të duket keq e më keq. Nuk është ndonjë risi, nuk është se ato kanë ardhur dje dhe sot. Ato kanë qarkulluar në Kosovë një kohë të gjatë, me muaj e mbase një vit. Janë vlerësuar dhe analizuar”, ka thënë Berisha.

Si ka thënë ai, nuk ka asnjë dokument të vetëm që është pranuar në cilësi të provës materiale, pra ndonjë shifër ose çfarëdo korrespondence të Speciales, përpos një korrespodence të prokurorëve serbë me prokurorinë e Dhomave të Specializuara.

“Ne kemi miratuar një ligj që jo vetëm që parasheh bashkëpunim juridik me prokuroritë e rajonit, kryesisht prokurorinë e Serbisë, por njeh edhe provat nëse janë siguruar ligjërisht nga ata. Ne e dimë që Serbia ka interes jetik që çdo shqiptar ta bëjë terrorist dhe kriminel lufte”, ka thënë ai.