Arbëri

Abrashi, Veliu dhe Qalaj nënshkruajnë premtimin rreth rrezikut në trafik

Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, ai i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, përmes nënshkrimeve, të mërkurën, janë zotuar për përçim mesazhi te opinioni për rrezikun në trafik.

Si ka thënë Abrashi para vënies së firmës tek ky zotim, viti i ri shkollor, që ka nisur këtë javë, nënkupton më shumë aktivitet edhe në transportin rrugor të vendit.

“Dhe për të ngritur vetëdijen qytetare, sot në një formë ceremoniale japim një zotim apo premtim për më shunë siguri në rrugë. Ne zotohemi të jeni më të vëmendshëm në trafik dhe ftojmë qytetarët që të bëjnë po të njëjtën gjë. Do të ndërhyjmë në pikat e zeza, do të ndërtojmë një mbikalim në fshatin Koreticë”, ka thënë ai.

Ministri i Brendshëm, Agim Veliu ndërkaq është shprehur i shqetësuar nga vdekjet e shumta që shkaktohen nga ngasësit e veturave, raporton KOHA.

“E përmes kësaj duam të ndikojmë dhe të kontribuojmë në shpëtimin e jetës së njerëzve, sepse ajo sot është më e çmueshmja. Unë do të premtoj dhe zotohem se do ta përmbaj premtimin”, ka deklaruar ai.

Qalaj ka thënë se të gjithë duhet të japin kontributin për të pasur sa më pak pasoja nga aksidentet në trafik.

“Sivjet kemi më pak të vdekur e lënduar se vitin e kaluar, rezultate këto inkurajuese, por prapë se prapë mbetët shqetësues numri i të lënduarve”, ka thënë ai.