Arbëri

Kritikohet MASH-i për vonesa në vendimin dhe përgatitjet për të nisur viti i ri shkollor

14 shtatori nuk do t’i kthejë të gjithë nxënësit në bankat shkollore.

Në disa komuna të Kosovës, të vetmit nxënës që do ta nisin mësimin në objektet e shkollave janë ata që jetojnë në fshatra, për shkak të numrit të vogël të nxënësve që gjenden aty.

Nga rreth 40 fshatra sa i ka gjithsej Komuna e Prishtinës, vetëm në 4 nga to mësimi do të zhvillohet në mënyrë të kombinuar, në shkollë e online, raporton KOHA.

Ministria e Arsimit ka vendosur që procesi mësimor të fillojë në dy faza, ku në fazën e parë, të hënën, do ta fillojnë mësimin klasat 0 deri në 6 dhe klasa e 10-të. Faza e dytë do të nisë më 21 shtator. Në këtë fazë përfshihen klasat 7,8 e 9 të arsimit të mesëm të ulët dhe klasat 11 e 12 të arsimit të mesëm të lartë.

Një ditë më parë ministri i Arsimit tha se për klasat 4 dhe 5 do të vendosin drejtoritë komunale se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca.

Por nga Asociacioni i Komunave është thënë se për klasat 4, 5 dhe 7, 8 e 9 është vendosur që të fillojnë më 21 shtator, por për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi do të vendosin DKA-të.

Nga SBASHK-u kanë treguar se nëse në ndonjërën prej shkollave ka të infektuar, atëherë do të ndërpritet mësimi vetëm në shkollë dhe të kalohet në mësimin nga distanca.

Në anën tjetër, njohësit e arsimit shprehen skeptikë për atë se si do të shkojë i gjithë procesi mësimor, duke thënë se vendimi i Ministrisë është i vonuar.

Në lidhje me fillimin e procesit mësimor këtë të hënë, gjatë së shtunës, ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili u ka bërë thirrje prindërve për kujdes të shtuar që fëmijët të respektojnë në mënyrë strikte udhëzimet e Institutit.