1 perditesime
14:45

Vetizolohet Buja, s’paraqitet para gjykatës

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, është vetizoluar me rekomandim të mjekut dhe nuk mund të paraqitet para Gjykatës Themelore në Prishtinë deri të pranojë rezultatin e testit për COVID-19, ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci.

Sot Buja ishte paraparë të dilte para gjykatës për rastin “Feronikeli”, por ai kishte munguar me arsyetimin se ka simptoma të koronavirusit. Fillimisht, gjykatësi kishte urdhëruar sjelljen e tij me detyrim, por më vonë është konfirmuar që Bujës i është rekomanduar të bëjë testin për COVID-19 dhe të vetizolohet deri në pranim të rezultatit. Me këtë rast, gjykata ka obliguar palën mbrojtëse që t’i dorëzojë raportet mjekësore, e për to Koci ka thënë se do t’i dorëzojë sot.

“Klienti i im, z. Shukri Buja nuk ka qenë mirë me shëndet prej ditës së djeshme. Gjendja simptomatike ka qenë tipike e COVID-19, sipas tij. Mjeku sot në mëngjes i ka rekomanduar që ta bëjë testin, dhe të izolohet deri në pranimin e rezultatit, në mënyrë që të parandalohet përhapja eventuale e infeksionit”, ka thënë Koci për KOHËN.

10:35

Buja mungon në seancën gjyqësore, Gjykata jep urdhër për sjellje me detyrim

Është lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në gjykatë ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, pasi ky nuk u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për seancën gjyqësore që ishte paraparë të mbahej në mëngjesin e së mërkurës (9:00).

Ai akuzohet bashkë me nëntë persona të tjerë për rastin e njohur si “Feronikeli”.

Në arsyetim për këtë mungesë, avokati i tij, Arianit Koci, ka thënë se Buja ka pasur simptoma të COVID-19 dhe në mëngjes ka shkuar në spital.

“Klienti im më ka lajmëruar në mëngjes se nuk po e ndien veten mirë dhe i ka simptomat e COVID-19. Njëherësh më tha se do të shkojë në kontroll te mjeku. Sidoqoftë, në seancë e kuptuam se edhe një i akuzuar tjetër po mungon për shkak të sëmundjes”, ka thënë Koci për KOHËN.

Siç mëson KOHA, në seancë ka munguar edhe Nebih Zeqiri, i akuzuari tjetër. Për të kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka thënë se ka marrë një fletëlëshim nga spitali si arsyetim për mungesë në seancë.

Megjithatë, Kalludra i ka vlerësuar si të paarsyetuara mungesat dhe për këtë ka dhënë urdhër për sjellje me detyrim nga Policia e Kosovës.

Buja ishte shpallur fajtor në fund të 2018-s për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Ai ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv por Apeli ka kthyer rastin në rigjykim.