3 perditesime
00:12

Sveçla konfirmon se Policia e ka intervistuar për vizitën në “dhomën e përgjimeve”

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se është ftuar nga Policia e Kosovës për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit lidhur me vizitën për të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzonte Sveçlën, ish-kryeministrin Albin Kurti e ish-zëvendëskryeministrin Haki Abazi ta kenë bërë në dhomën e përgjimeve në Telekom.

Sipas Sveçlas, ajo ka qenë vetëm një vizitë në Telekom me kërkesë të kryeshefes ekzekutive. Ka thënë se aty kishin marrë shqetësimet e saj dhe të Drejtorit të Financave për gjendjen në ndërmarrje.

“Ditën tjetër kam thirrur drejtorin e përgjithshëm të Policisë, drejtorin e Hetimeve dhe atë të Krimeve Ekonomike dhe kam kërkuar nga policia e Kosovës të merret seriozisht me këto shqetësime e t’i adresojë në rrugë ligjore. Presidenti ka pas edhe insinuata tjera duke tentuar ta bëjë argatin e keq për një koalicion të leverdishëm për të, siç po shihet. Sot kam qenë në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe kam dhënë deklaratën time lidhur me këtë çështje. Më kanë ftuar në cilësinë e dëshmitarit edhe pse nuk e di si mund të kategorizohet kjo pas akuzës së presidentit, por normalisht kjo vetëm sa shpërfaq se si Prokuroria e Kosovës qenka shumë e vullnetshme të dëgjojë për shpifjet e presidentit e jo të merret realisht me kriminelët dhe krimet në Kosovë”, ka thënë Sveçla në Interaktiv.

Ai ka thënë se ka qenë intervistim korrekt nga policia, teksa e ka vlerësuar të çuditshme këtë situatë.

00:01

Sveçla: Thikat në harta po shihen duke i dhënë Serbisë pjesë të Ujmanit

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se "thikat mbi harta" janë parë duke i dhënë Serbisë pjesë të Ujmanit, teksa ka bërë kritika në adresë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

"Presidenti është në hall të vetin tash, por realisht, thikat në harta po shihen duke dhënë pjesë të Ujmanit, apo të drejtën e Ujmanit shtetit të Serbisë. Sa i takon shkëmbimit territorial të ashtuquajtur, të cilin ai e promovonte gjithandej, ne jemi të lumtur se ky projekt, si duket, ka dështuar, nuk është i vdekur, por gjasat të riaktualizohet janë shumë të vogla", ka thënë ai.

Por, si ka shtuar Sveçla, edhe vetë Grenelli, Boltoni si dhe zyrtarë të ndryshëm të SHBA-së, por edhe zyrtarë të presidentit të Kosovës kanë thënë se ka pasur bisedime për shkëmbim territorial.

"Mos të harrojmë se presidenti që tash flet për paranoja, veriut të Kosovës i drejtohej si një dhuratë e Rankoviqit. Njerëz të afërt të tij flisnin jo vetëm për ta dhënë veriun, por flisnin edhe për amnisti të krimeve të Serbisë në Kosovë, gjoja se tash pas 20 vjetësh nuk mund të sillet drejtësi në Kosovë, me idenë që kjo amnisti pastaj të jetë e dyanshme dhe me shpresën që vetë presidenti i Kosovës do të shpëtojë nga përndjekja nga Specialja", ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se gjithçka varet se si e sheh Kosovën. Sipas tij, presidenti Thaçi "në të kaluarën jo vetëm që ishte i interesuar të përfitojë, por që tashmë është i interesuar të shpëtojë në kurriz të vendit".

"E kjo nuk duhet lejuar", ka kërkuar Sveçla.

23:59

Sveçla: Marrëveshja është pazar ditor i SHBA-ve

Anëtari i kryesisë i Lëvizjeve Vetëvendosje, Xhelal Sevçla ka thënë se marrëveshja në Washington e arritur më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë, është thjeshtë pazar ditor i SHBA-ve.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje është arritur thjeshtë për të portretizuar administratën Trump si të suksesshme në politikat e jashtme. Ai ka thënë se heqja dorë nga zotimet e marra nga ajo marrëveshje, nuk do të prishë marrëdhënien me SHBA-në.

“Unë jam i bindur që në momentin që ne tregojmë zotësi në arsyetimin e këtij kundërshtimi, në momentin kur ne realisht bindim ndërmjetësuesin, se këto realisht nuk mund t’i themi as marrëveshje, dëmtojnë substancën e Kosovës, unë mendoj se nuk është as në interesin e SHBA-së që Kosova si shtet i cili është pavarësuar edhe me kontribut të SHBA-së, ndoshta prej gjithë aleatëve kontributin më të madh të tyre, të dëmtohej. Por nëse t’i problemit i qasesh se pavarësisht çfarë unë pajtohem, atëherë normalisht se pesha rëndon në anën tjetër. Ne në asnjë moment nuk duhet të mendojmë se Serbia është mik apo aleat më i afërt me SHBA-në. Por qeveria serbe është më këmbëngulëse në kërkesat e saj. Por në këtë kohë të një fushate parazgjedhore, kur ekipit të Trumpit i duhen sukseset, atëherë përparësitë janë krejt tjera. Siç u munduan që këtë marrëveshje ta portretizojnë si sukses historik , e pastaj shfaqën mllef ndaj mediave në Amerikë meqë nuk është pasqyruar ashtu, kjo tregon se sukseset momentale janë shumë të rëndësishme për administratën Trump, por ne nuk duhet të bëhemi pre e këtyre nevojave imediate të tyre. Besojmë në një aleancë afatgjate me SHBA-në. Besojmë në vlerat”, ka thënë Sveçla për Interaktivin në KTV. “Tashmë është e qartë se kjo marrëveshjeve është në vazhdë të disa marrëveshjeve apo të arriturave siç Grenell i quan në politikën e jashtme të administratës amerikane, që kjo administratë të portretizohet e suksesshme në politikat e jashtme, pra është aq, pazar ditor. Ne nuk duhet të bëhemi pre e këtyre nevojave. Por kjo nuk duhet të hedh dyshime mes popullit shqiptar e atij amerikan, mes shtetit të Kosovës dhe atij të Amerikës, por miqësinë duhet ta bazojmë në vlera më afatgjata”.

23:41

Sveçla: Në Washington Kosova doli humbëse

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka lëshuar një sërë kritikash ndaj Qeverisë Hoti lidhur me Marrëveshjen e nënshkruar në Washington.

Duke e quajtur kryeministrin Avdullah Hoti “kryeministër jolegjitim”, Sveçla tha se Marrëveshja nuk kishte fare të bëjë me Serbinë sepse Kosova nuk përfitoi në asnjë pikë.

Se Albin Kurti dhe individë tjerë kanë kritikuar SHBA-në, Sveçla tha se është e pavërtetë, edhe pse së fundmi edhe i dërguari Special i SHBA-së për dialogun me Serbinë, Richard Grenell, e quajti anti-amerikan Kurtin.

“Nuk është e vërtetë. Një shou medial e propagandistik që Grenell u mundua ta zmadhoj nga ky nënshkrim i letrave të zotimit. Pas këtij dështimi ai u kthye me nervozë së pari te mediat në Amerikë, pastaj te LVV-ja që deklaroi se ne nuk do t’i zbatojmë kushtet jashtëzakonisht të pavolitshme të rënda, antikushtetuese që janë nënshkruar nga Avdullah Hoti kryeministri jolegjitim i Kosovës, dhe kjo pastaj ngjalli reagimin e tij. Por në vetvete kjo nuk do të thotë asgjë", tha Sveçla në Interaktiv të KTV-së.

Sveçla thekson se Kosova, nuk duhet asnjëherë të bëhet subjekt i përfitimeve të palëve të ndryshme në SHBA.

“Në çdo moment kur ne bëhemi palë e luftës së brendshme elektorale atje, dëmtohemi”, tha Sveçla.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, theksoi se nga Marrëveshja në Washington, Kosova nuk ka përfituar asgjë.

“Kemi analizuar këtë letër, nuk kemi gjetur as edhe një përfitim të vetëm”, theksoi Sveçla.

Njohjen nga Izraeli, Sveçla e quajti si të parëndësishme kur bëhet fjalë për një Marrëveshje me Serbinë.

“Në njohjen nga Izraeli fitojmë ne, sigurisht, por në raport me Serbinë nuk përfituam asgjë. Njohja e Izraelit nuk ka fare të bëjë me ndonjë marrëveshje me Serbinë. Mes kujt ishte marrëveshja me Izraelin? Nuk ka kurrfarë relevance kjo në raport me atë se si dhe çfarë marrëdhëniesh e shohin Kosova e Serbia njëra-tjetrën”, shtoi Sveçla.

“Të gjitha janë koncesione. Por njohja nga Izraeli është pozitive. Edhe çështja e 5G, kjo fare nuk ka të bëjë me Serbinë. Ne edhe si Qeveri Kurti kemi pranuar kërkesa nga SHBA-ja ta adresojmë këtë çështje. Bëhet fjalë për teknologjinë kineze që nuk është e besueshme. Jemi zotuar se ky problem realisht nuk do të ekzistojë në Kosovë, pasi nuk kemi sytë nga ajo teknologji. Pastaj dekriminalizimi i homoseksualizmit. Çështja e Hezbollahut. Këto çështje janë të ndara, nga raportet me Serbinë”, shtoi tutje Sveçla.

Sveçla theksoi se në Marrëveshjen e nënshkruar në Washington, Kosova veçse ka ndalur humbëse.

“Në pikat ku adresohen çështjet e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, në të gjitha kemi dal në humbje. Çfarë kemi marrë ne. A duhet për çdo njohje që marrim nga vendet të tretë të bëjmë lëshime në raport me Serbinë. A duhet t’i japim hise në Trepçë, Serbisë nëse vjen njohje tjetër. Njohjen e subjektivitetit tonë politik që edhe e GJND e ka pranuar si të drejtë, ne duhet ta paguajmë me desubjektivizim, sovranitet apo integritet territorial karshi Serbisë. Kjo rrugë nuk na qon askund. Duhet që marrëdhëniet me shtetet tjera t’i definojmë qartazi. Shumë mirë na ka njohur Izraeli. Kemi shprehur gatishmërinë ta njohim Izraelin. Nuk kemi dyshim në ekzistencën e atij shteti. Por këto janë raporte mes dy shteteve. Në zotimet e nënshkruara në këto letra ne koncesione i kemi bërë Serbisë. Çfarë koncesioni i bëri Serbia Kosovës? Karshi shtetit të Kosovës Serbia nuk ka bërë asnjë koncesion. Serbia nuk ka bërë asnjë hap pozitiv drejt normalizimit të marrëdhënieve siç pretendonte se do të arrihej me shkuarjen e Qeverisë Hoti në Washington”, tha Sveçla.