Xhafer Shatri, aktivist shumëvjeçar në diasporë, i njohur edhe si ministër i Informacionit në Qeverinë e Kosovës në ekzil, në vitet ’90, në emisionin “Desku” në Kohavision foli për situatën aktuale në vend, përfshirë pandeminë e politikën.
Ai tha se “është një kohë pa kohë dhe e çuditshme”, situata me pandeminë COVID-19.
Për Marrëveshjen në Washington, Shatri thotë se më shumë është klimë euforike sesa Marrëveshje historike.
“Më tepër është klimë euforike se diçka historike. Jemi popull i vogël dhe është krejt e natyrshme, se kur Amerika të kërkon të shkosh në një takim ti shkon, por megjithatë, kushdo që na fton duhet të jemi me këmbë në tokë por ta heqim euforinë. Duhet ta dimë se po bisedojmë me Serbinë e të bisedosh me Serbinë nuk është lehtë”, tha ai.
Shatri tha se të bisedosh me Serbinë, është tepër rrënjësore.
“Prej fillimit deri tash shqiptarët e Kosovës nuk kanë ditur të bisedojnë me Serbinë, në çdo negociatë kanë humbur diçka”, tha ai.
Sipas Shatrit, negociatat kanë nisur në një kohë të keqe kur Specialja ka nisur aktakuzat.
“Njeriu nuk duhet ta lidh fatin e vendit me fatin e tij. Po të isha unë në vend të Hashim Thaçit, në atë moment kur përmendet një raport i tillë, të themelohet një gjykatë për këtë çështje, do të largohesha. Është gabimi më fatal që e ka bërë ai, krejt Kosovën e ka bërë peng”, tha ai.
Shatri foli edhe për aktakuzat nga Specialja.
“Ato janë individuale, duhet të përballen me aktakuza. Fati i tyre dhe fati i Kosovës janë dy gjëra të ndryshme, nuk duhet të përzihen”, tha Shatri, duke shtuar se “Thaçi është dashur të japë dorëheqje posa është folur për raportin e Dick Martyt.