Arbëri

Mustafa insiston se nuk pati riformulim për Ujmanin në Washington

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, insiston se nuk ka pasur riformulim të pikës së marrëveshjes ku flitet për Ujmanin.

KOHA ka raportuar për ndryshim të kësaj pike pas kundërshtimit të koalicionit të partnerit të LDK-së në qeverisje, AAK-së.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, publikisht doli kundër versionit të parë të pikës për Ujmanin. Kjo konfirmohet edhe përmes draftit të marrëveshjes të firmosur të premten në Washington.

“E vërteta për marrëveshjen në Washington, sa i përket Liqenit të Ujmanit, nuk është kjo që po raportohet nga disa media. Formulimi për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim më dt 4 shtator. Më dt 3 shtator, në mbrëmje, nga kryeministri Hoti jam njoftuar për harmonizimin e formulimit, i cili është nënshkruar ditën e nesërme ( më dt. 4 shtator). Me z. Haradinaj kemi komunikuar me telefon dhe me mesazhe me dt 3 shtator, jemi takuar dhe kemi pirë kafe me dt 4 shtator në ora 10 paradite. E kam informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç më është prezantuar nga z. Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën serbe, prandaj se nuk ka vend të shqetësohemi. Kemi vazhduar të komunikojmë edhe pasdite, me kohen tone lokale. Në bisedë me mua, z. Haradinaj ka shprehur kërkesën që teksti (ky që është nënshkruar e jo ndonjë tekst tjetër) të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë, por vetëm me SHBA-në, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujmani, por vetëm fizibiliteti për ujërat”, ka shkruar Mustafa të hënën në Facebook.

Mustafa ka konfirmuar kërcënimin e Haradinajt për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së në shenjë mospajtimi.

“Jam informuar nga kryeministri, pasi ia kam prezantuar këto shqetësime, se pala amerikane nuk pajtohet të bëhen ndryshime të marrëveshjes dhe se mbetet ose të nënshkruhet marrëveshja ashtu siç është dakorduar ditën e 3 shtatorit ose të mos nënshkruhet. Unë jam informuar nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së (në ora 15:19 min.) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikanë, por se edhe unë edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim, por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-në”, ka shkruar tutje Mustafa.

Ai ka kërkuar besim e bashkëpunim mes partnerëve të koalicionit. Sipas tij, kështu duhet të trajtohet dialogu.

“Kryeministrin dhe qeverinë e kemi zgjedhur dhe i kemi dhënë besimin si partner të koalicionit, prandaj vetëm mbi këtë bazë mund të funksionojë qeveria dhe ta bëjë punën e saj. Është e padenjë dhe e padrejtë të tentohet të krijohet opinioni se njëri partner në dialog e fali Ujmanin, ndërkaq tjetri e shpëtoi”, ka shkruar Mustafa.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Washington, Haradinaj mori meritat për Ujmanin. Sipas tij, kundërshtimi që bëri, shtyri palët të riformulojnë pikën e marrëveshjes për Ujmanin.