Arbëri

Këshilltari i Hotit e quan thirrje për përmbysje të Kushtetutës idenë e Hazirit për kufijtë

Visar Berisha, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti, është shprehur kundër idesë së nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Në një intervistë për televizionin publik, Haziri të martën ka thënë se me ndërrim të territoreve, Kosova s’do të humbte asgjë. Sipas tij, tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi janë peng i politikës. Ai ka thënë se shqiptarët si shumicë në tri komuna në Luginën e Preshevës duhet t’i bashkohen Kosovës, ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra tjerë me shumicë serbe t’i bashkohen Serbisë.

Por Berisha, përmes një postimi në Facebook, këtë ide e ka quajtur thirrje për përmbysje të Kushtetutës së Kosovës. Ai ka thënë se kjo është goditje ndaj pozicionit dialogues të Kosovës.

“Qëndrimi dhe kërkesa për të prekur integritetin territorial të Kosovës është thirrje për të përmbysur Kushtetutën. Është insult ndaj subjektivitetit. Është goditje ndaj pozicionit dialogues të Republikës së Kosovës. Kosova as nuk e do e as nuk mundet m’i dhanë kujt një milimetër tokë të veten”, ka shkruar ai.

Vetë Haziri ka pranuar se qëndrimi i tij është ndryshe nga ai i partisë së tij. Ndaj deklarimeve të Hazirit kundërshtime kanë shprehur edhe politikanë të tjerë në vend, përfshirë kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn, me të cilin bashkëqeveris LDK-ja.