2 perditesime
14:08

Viti i ri shkollor do të nisë në tri faza

Jo për të gjithë nxënësit viti shkollor do të nis më 1 shtator.

Sipas master-planit të përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin e ri shkollor, mësimi do të fillojë në tri faza, më 1 shtator, 7 shtator dhe 10 shtator.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, pas takimit që pati me kryeministrin dhe kryetarët e komunave, ka treguar se si parashihet të shkojë procesi mësimor në kohë pandemie.

Detajet tjera se si do të shkojë procesi, në shkolla apo online, do të vendoset më vonë.

"E kemi përgatitur master-planin për vitin shkollor që do të nis më 1 shtator për parashkollor, klasat 1, 2, 3, 6 dhe 9. Në fazën e dytë që do të fillojë më 7 shtator, do të vijojnë klasat 4 e 5 dhe në fazën e tretë mësimi të nis më 10 shtator për klasat 7, 8 ,9, 11 dhe 12, sipas tre skenarëve të paraqitur. Vendimin e kam të përgatitur, do të konsultohem me kryeministrin dhe Qeverinë dhe përfundimisht besoj se brenda ditës ose në mbledhjen e Qeverisë vendoset. Është një situatë jashtëzakonisht e vështirë dhe deri diku e rrezikshme, por duhet të përkujdesemi të marrim masa për fillimin e vitit shkollor”, ka thënë Likaj.

13:39

Plani për vitin e ri shkollor miratohet së shpejti në Qeveri, s’ka lehtësim të masave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur pas takimit me kryetarët komunave, ku është diskutuar për fillimin e vitit të ri shkollor, raporton EO.

Hoti nuk ka bërë të ditur nëse në këtë takim është marrë ndonjë vendim, por ka thënë se takimi ka qenë shumë i rëndësishëm.

Ai ka thënë se master-plani për vitin e ri shkollor do të miratohet së shpejti në Qeveri.

“Master-plani do të kalojë në Qeveri së shpeti dhe më pas do të merret vendimi nga Ministria e Arsimit”, është shprehur Hoti.

Ai ka folur edhe për masa të reja ndaj pandemisë, ku ka thënë se nuk pritet të ketë lehtësim të tyre, ndërsa është shprehur i kënaqur me respektimin e atyre aktuale nga qytetarët.

“Nuk them se do të shkojmë nga lirimi i masave, pro ajo çfarë po vërejmë është se është krijuar një kulturë e respektimit të tyre, nuk sheh qytetarë pa maska”, ka thënë Hoti.

11:19

Takimi i kryeministrit me kryetarët e komunave, larg mediave

Ka nisur takimi mes kryeministri Avdullah Hoti dhe kryetarëve të komunave, që po mbahet në Prishtinë.

Pos fjalës hyrëse të kryeministrit, pjesa tjetër e takimit u mbyll për mediat.

Hoti tha se në takim do të diskutohen disa çështje dhe ato janë viti i ri shkollor, lehtësimi i masave mbrojtëse ndaj COVID-19 dhe të tjera. Tha se do të përfshihen edhe ministrat e dikastereve përkatëse, si Goran Rakiq, Ramë Likaj dhe Armend Zemaj.

“Ka gjithmonë hapësire për një komunikim efikas me ministritë,

trendi i rasteve te reja ka filluar të bije, por fatkeqësisht numri i rasteve me fatalitet po mbetët i lartë. Kjo nuk do të thotë që është fundi i pandemisë”, ka thënë Hoti.