Arbëri

90 laboratorë janë licencuar për teste serologjike në Kosovë, AK-ja s’gjen shkelje te to

Ka shkuar në 448 numri i të vdekurve në vend nga COVID-19. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit 10 persona kanë vdekur. Ndërsa në 584 mostrat e marra, 162 pacientë kanë rezultuar pozitivë.

E derisa IKSHPK-ja ka nisur të raportojë në shifrat ditore edhe rezultatet për testet PCR nga laboratorët privatë, Autoriteti i Konkurrencës ka disa javë që ka nisur monitorimin e çmimeve të këtyre laboratorëve, raporton KOHA.

Vetëm disa javë pasi kanë nisur punën laboratorët privatë për testime serologjike dhe PCR, Autoriteti i Konkurrencës ka ardhur në përfundimin se çmimet e testeve janë në nivelin e konkurrueshmërisë.

Bazuar në monitorimin e çmimeve që ka bërë një komision i formuar për këtë çështje sipas kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës, deri më tani nuk ka gjetur ndonjë shkelje.

Sipas Prestreshit, dallimi i çmimeve mes këtyre testeve nëpër disa laboratorë u jep qytetarëve mundësi që të mund të zgjedhin shërbimet bazuar në buxhetin që kanë.

Inspektorati Shëndetësor, përmes disa inspektimeve të kryera në disa laboratorë privatë gjatë këtyre ditëve, ka gjetur disa shkelje.

Nga 30 inspektime sa ka realizuar ky inspektorat, ka gjetur disa shkelje teknike.

Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se një institucioni nuk i është lejuar ta nisë punën, pavarësisht vendimit për licencim për shkak të mospërputhjes së gjendjes faktike me atë çka është deklaruar në formularin e aplikimit.

Kjo ministri, gjithashtu, ka bërë të ditur se ka pranuar edhe disa ankesa nga qytetarët lidhur me punën në këta laboratorë e të cilat është duke i trajtuar.

Në Kosovë deri më tani Ministria e Shëndetësisë i ka licencuar 90 laboratorë. Nga kjo shifër vetëm në dy prej tyre kryhen testet PCR, ndërsa të tjerët kryejnë teste serologjike.