11:52

Hoti: Në shtator fillon plani 5-vjeçar për rimëkëmbje ekonomike

Shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti është zotuar sot se në muajin shtator do të nis plani për draftimin e një strategjie të re për rimëkëmbjen ekonomike, raporton KOHA.

Kjo pasi që sipas tij, në situatën e krijuar me pandeminë vendi ka nevojë për një plan afatgjatë për rimëkëmbjen ekonomike.

“Ne edhe ashtu kemi pasur në plan që në shtator të fillojmë draftimin e strategjisë së re zhvillimore për Kosovën, por tash jemi të nxitur dhe të shtyrë nga nevoja që kemi për të ofruar një plan afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike, sepse është më se e qartë se do të përballemi me probleme të rimëkëmbjes ekonomike, jo vetëm përgjatë këtij viti por edhe gjatë vitit të ardhshëm, e përtej saj”, tha Hoti.

Ai po ashtu ka thënë se kjo strategji zhvillimore parasheh një periudhë 5 vjeçare në vlerë deri gjashtë miliardë euro.

“Kjo nënkupton një strategji zhvillimore 5 vjeçare, qe shkon deri në 6 miliardë euro”, është shprehur Hoti, në takimin Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

11:21

Hoti: Pakoja për rimëkëmbjen ekonomike drejt implementimit

Kryeministri Avdullah Hoti në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime theksoi se pakoja për rimëkëmbjen ekonomike do të implementohet, me përfshirjen e plotë të këtij këshilli, raporton KOHA.

"Kjo është mbledhja e parë ku do t’i trajtojmë disa çështje. Ky takim vjen si vazhdimësi e konsultimeve të rregullta që Qeveria ka pas me partnerët e përfshirë në Këshill Ekonomik. Ne si qeveri e kemi si pjesë të programit pakon e masave të rimëkëmbjes ekonomike dhe me rishikim të buxhetit e kemi krijuar fondin për rimëkëmbje ekonomike. Tash në periudha afatshkurtër do të punojmë bashkë me ju që të implementojmë këtë pako për rimëkëmbje ekonomike. Dëshiroj te ju garantoj se do jeni të përfshirë në zbatimin në praktikë të pakos ekonomike", tha Hoti në këtë takim, raporton KOHA.

Me këtë rast ai falënderoi BERZH-in që po e ndihmon këtë proces.

"Dëshiroj të falënderoj zyrën e BERZH-it për ndihmën që po na jep. Do të vazhdojmë përmes këtij këshilli, do vazhdojmë punën e mirë që është bërë edhe në të kaluarën në mënyrë që të harmonizohen organet shtetërore në sektorin privat me partnerët e tjerë", theksoi ai.