Arbëri

Dështimi për t’u votuar projektligji për rimëkëmbje ekonomike vlerësohet negativ për Kosovën

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se është veprim me pasoja negative mosvotimi i projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Ai ka deklaruar se bizneset po ballafaqohen me shumë vështirësi dhe, sipas tij, këtë deputetët nuk po e kanë parasysh.

Por ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, ka thënë se projektligji në fjalë nuk i ka përmbushur kërkesat e qytetarëve e komunitetit të biznesit, raporton KOHA.

Ai ka thënë se Kosovë u dëshmua se dominon agjenda politike para asaj ekonomike.

Se përfaqësuesit politikë po i shohin kalkulimet e tyre para interesit shtetëror edhe në ekonomi, e thotë edhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj. Por, ai deklaron se ka pritur menaxhim më të mirë nga kryeministri Avdullah Hoti.

Kadriaj thotë se zgjidhja është të merren kredi të buta, që do të shkaktonin ndryshime rrënjësore në ekonomi.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qeveria Hoti është qeveri e pakicës dhe nuk ka as mbështetje popullore, prandaj, sipas saj, një ekzekutiv i tillë duhet të largohet sa më parë.

Haxhiu thotë se kjo më së miri u pa në seancën e djeshme, ku koalicioni qeverisës kishte vetëm 45 vota kur u bë përpjekje për votimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.
 

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike për në dy tentime në Kuvend nuk arriti të marrë më shumë se 45 vota të deputetëve, me gjithë thirrjet e ministres së Ekonomisë.

Projektligjin nuk e votuan Vetëvendosje dhe PDK-ja, të cilat patën vërejtje të shumta.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike parasheh ndryshimin e përkohshëm të rreth tri ligjeve të tjera, që do të ndihmonin në mbledhjen e financave për Fondin e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Me këtë projektligj u garantohet qasje qytetarëve të Kosovës në llogaritë e tyre të kursimeve pensionale për tërheqjen prej 10%, po ashtu edhe të mbi 100 milionë eurove nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Kuvendi i Kosovës me seancën e së premtes ka përfunduar sesionin pranveror.