Vetëm edhe pak orë kanë kohë mjekët të aplikojnë në konkursin për 1034 specializantë, të cilin e ka shpallur Ministria e Shëndetësisë.
Mirëpo, disa nga kandidatët po kërkojnë ndryshimin e kritereve të vendosura, pasi vlerësojnë se ato janë caktuar për t’iu përshtatur një grupi të caktuar personash, raporton KOHA.
Sipas kandidatit, Arianit Zajmi, intervista me gojë duhet të mos vlerësohet me pikë, derisa ai kërkon që nota mesatare gjatë studimeve të vlerësohet më shumë, si dhe minus pikët për vonesën në diplomim të jenë më të ulëta.
Në emër të 185 kandidatëve të tjerë, Zajmi këtë kërkesë e ka bërë edhe ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, Bordit Qendror për Shkollim Specialistik, Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe institucioneve të tjera.
Kundër këtyre kritereve është edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, e cila thotë se konkursi përmban shumë parregullsi.
Art Deva është, po ashtu, kandidat për specializant, por ai pajtohet me shumicën e kritereve të konkursit, për të cilin thotë se është më i përshtatshëm se i kaluari.
Ndërsa kryesuesi i Bordit Qendror për Shkollim Specialistik ka thënë se kriteret janë të balancuara, duke mohuar se ato janë përshtatur për individë të caktuar.
Shahini ka deklaruar se kriteret janë përcaktuar para hapjes së konkursit dhe se ato nuk mund të ndërrohen.