Ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli, ka publikuar një video të re në të cilën shihen pjesëtarë të xhandarmërisë serbe teksa qarkullojnë në fshatin Karaçevë të Kamenicës, të premten e 7 gushtit.
“Ja edhe video nga kamera e shtëpisë ku shihet qartë duke kaluar ushtarët serbë me disa qenë nëpër rrugën e lagjes sonë në Karaçevë të Poshtme të komunës së Kamenicës, më 07.08.2020 rreth orës 18:05”, ka shkruar Surdulli për videon e publikuar.
Të premten kishte pasur shumë reagime pasi ishin publikuar pamje nga hyrja e xhandarmërisë në territorin e Kosovës. Teksa kryeministri Avdullah Hoti kishte thënë se do të ndërmerren masa, KFOR-i kishte thënë se këto ishin lëvizje të sinkronizuara përgjatë vijës kufitare.
Hyrja e këtyre forcave të armatosura kishte shkaktuar shumë frikë e shqetësim te banorët e fshatit.