Hyrja e xhandarmërisë serbe të premten në Karaçevë të Kamenicës, ka shkaktuar pasiguri, por edhe konfuzitet te banorët e kësaj ane.
Ndonëse me një komunikatë për medie, KFOR-i tha të ketë qenë një patrullim i sinkronizuar mes tyre e Forcave të Armatosura Serbe, e që bëhet që nga viti 2008, Kryeministri i Kosovës dhe ministrat e tij patën qëndrime të kundërta me njëri-tjetrin.
I pari i Qeverisë, Avdullah Hoti, në reagimin e tij gjatë së shtunës, u shpreh se nuk ka vend për panik dhe se për këtë ngjarje do të bëhet një raport i detajuar që do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Mirëpo, ndryshe nga ai, Ministrja e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj, patrullimin e ushtrisë serbe në Karaçevë, përveçse shqetësues, e quajti edhe të paautorizuar. Ajo tha se organet kompetente, por edhe KFOR-i duhet t’i sqarojnë popullit të Kosovës se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300 metra brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovim paraprak.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ashtu siç e kanë njohur gati mbi 2/3-tat e shteteve të botës, 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së dhe 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s, e po ashtu të respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi ligjshmërinë e plotë të Pavarësisë të Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008 në kufijtë ekzistues”, ka thënë Haradinaj.
Kritika për qasjen e Qeverisë ndaj hyrjes së xhandarëve serbë në Karaçevë, pati edhe opozita. Lëvizja Vetëvendosje gjatë së dielës, përmes një shkrimi, e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës për papërgjegjësi e indiferencë ndaj ndërhyrjes së forcave serbe në atë pjesë të vendit.
“Qeveria e Kosovës, institucionet vendore në vend se të kujdesen për rendin dhe ligjin, e të sigurojnë̈ mbrojtje për qytetarët në këto pjesë, po vazhdojnë̈ të jenë të ngathëta, neglizhente, ta bartin përgjegjësinë̈ te KFOR-i, e madje edhe të shfaqin mosbesim ndaj banorëve e vetë institucioneve tona. Duhet hetim e raport i detajuar thotë̈ kryeministri i hutuar, përderisa nuk ka kurrfarë̈ ndjeshmërie për cenimin e sovranitetit dhe jetën e sigurinë̈ e banorëve të Republikës në atë̈ pjesë”.
Por, kjo nuk është hera e parë që forcat serbe hyjnë në atë pjesë të vendit. Përfaqësuesi i banorëve të fshatit Karaçevë, Selver Lenjani, ka deklaruar se shumë herë u kanë bërë thirrje instancave të larta të shtetit për intervenim, porse nuk kanë marrë përgjigje.
Ndërsa, në një përgjigje për televizionin, profesori universitar, Ismet Salihu, është shprehur se me gjithë shqetësimet dhe deklaratat kontraverse brenda Qeverisë, patrullimi i bashkërenduar mes KFOR-it e Forcave të Armatosura Serbe bëhet qe një kohë të gjatë dhe nuk përbën rrezik për cenim të sovranitetit të shtetit.
“Ka kohë që lëvizjet e tilla përgjatë vijës administrative kufitare bëhen në sinkronizim të KFOR-it me forcat e armatosura serbe, por edhe kosovare. Prandaj, pavarësisht zhurmës që po bëhet, patrullimi i së premtes nuk e cenon integritetin territorial të vendit. Ashtu siç ka thënë edhe KFOR-i, patrullime të tilla kanë ndodhur edhe më parë”, ka thënë Salihu.