Arbëri

Sipas Isufit e Bulliqit, xhandarmëria serbe u fut në Kosovë për rreth 300 metra vijë ajrore

Descriptive Text

Ish-anëtarët e Komisionit për Shënjimin e Kufirit, Florim Isufi e Shpejtim Bulliqi, kanë shpjeguar përmes një analize se xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit.

Të premten, forcat serbe u panë në brendi të territorit të Kosovës, duke zgjuar reagime të shumta. Në anën tjetër, KFOR-i në një reagim ka thënë se kjo ishte në kuadër të patrullimeve të përbashkëta rutinore. Kjo forcë kishte thënë se vija kufitare mes Kosovës e Serbisë “nuk është shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta” e se mund të ketë lëvizje “me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni”.

Në anën tjetër, Isufi përmes një postimi të përbashkët me Bulliqin në Facebook, ka thënë se mund të konstatohet se xhandarmëria serbe u fut për rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit, ndërsa nëpër rrugë, sipas tij, edhe më gjatë.

“Pas publikimit të disa videove në mediat kosovare, dhe pas detektimit të pozicionit gjeografik, mund të vërtetohet distanca e futjes së xhandarmërisë serbe brenda territorit tonë. Bazuar në analizën e realizuar nga imazhet satelitore dhe krahasimin i tyre me videot dhe foto të bëra në vendin e ngjarjes, mund të konstatohet e xhandarmeria serbe është futur në territorin e Kosovës rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit, ndërsa nëpër rrugë edhe më gjatë. Rreth 700 metra nga vija kufitare në drejtim të fshatit Muhovc. Pozicioni i realizuar nga xhirimet e kamerës së sigurisë së restorantit Oksigjen, janë 4400 metra larg nga pika e vëzhgimit të Policisë së Kosovës e cila është e pozicionuar kohë pas kohë në rrugën Rogoqicë-Karaçevë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, veprimi i forcave serbe “s’mund të cilësohet si gabim”.

“...sepse morfologjia e terrenit është shumë e theksuar dhe tepër lehtë e identifikuar për detektim të vijës kufitare. Pra edhe njohësi më i dobët i hartave mund të orientohet në këtë pjesë të territorit, e mos të dyshohet për një trupë profesionale. Faktet hartografike dhe vizuale janë të sakta, e bazuar në to, Qeveria e Kosovës duhet të reagoj ashpër për futjen e personave të armatosur në thellësi kaq të madhe të territorit tonë, sidomos pa paralajmërim dhe leje paraprake. Hartat dhe fotot tregojnë faktet nga terreni”, ka shkruar ai.

Image