Arbëri

Politika po e mban peng zgjedhjen e rektorit të UP-së

Prej një jave, Universiteti i Prishtinës do të duhej të ishte me rektor të ri. Por, finalizimi i procesit ka mbetur peng i ndërhyrjeve politike.

Bazuar në dinamikën e zgjedhjeve në këtë universitet, rektori do të duhej të zgjidhej në fund të muajit korrik. Konform Statutit, Senati ia ka përcjellë Këshillit Drejtues listën e ngushtë të kandidatëve, por 4 anëtarët e Këshillit të emëruar nga ministri i Arsimit, Ramë Likaj, i cili i takon AAK-së, duan që në listë të jetë edhe ish-kandidati i kësaj partie për deputet Zenun Halili, raporton KOHA.

Bujar Dugolli, kryesues i Senatit, e ka kritikuar këtë qasje.

“Ka qenë në detyrën e Këshillit Drejtues që më datën 29 ta përfundojë procesin e zgjedhjes së njërit nga kandidatët e asaj listës që ia ka propozuar Senati për rektor të Universitetit të Prishtinës. Kjo ende nuk ka ndodhur. Ne nuk e kuptojmë qasjen e Këshillit Drejtues, konkretisht pjesës që vjen nga ana e Ministrisë, sepse është shumë e qartë se mundet vetëm nga radhët e listës të cilën e dërgon Senati, mund të dalë ndonjë rektor eventual e jo nga listat e tjera”, është shprehur Dugolli.

Në listën e hartuar nga Komisioni profesional, të cilën Senati ia ka përcjellë Këshillit, ndodhen emrat e tre kandidatëve: Blerim Rexhës, Faton Berishës dhe Naser Sahitit.

Komisioni nuk e kishte përfshirë në listën e ngushtë edhe Zenun Halilin, meqë ka konsideruar se ky kandidat e ka të pamundur ligjërisht të zgjidhet rektor.

Halili ishte anëtar i Këshillit Drejtues, nga i cili funksion ka dhënë dorëheqje pak para se të kandidonte për rektor.

E, sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, zyrtarët e lartë, në të cilën kategori ndodhen edhe anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, në dy vjetët e ardhshëm nuk kanë të drejtë të punësohen ose të emërohen në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, në institucionin ku kanë ushtruar funksionin publik.

Tek interpreton këto dispozita, juristi Florent Spahija konsideron se situata është më se e qartë.

“Dikush që ka mbajtur një pozitë të lartë, brenda dy vjetëve nuk mund ta ushtrojë pozitën tjetër në atë institucion. Pra, është kjo periudha dyvjeçare e ftohjes në mes të institucionit ku ke qenë si zyrtar i lartë dhe më pas nuk mund të kandidosh në një pozitë udhëheqëse në atë institucion”, ka shpjeguar ai.

Kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së është Ujkan Bajra, i emëruar nga ministri Likaj. Ai nuk e ka vënë në rend dite deri tash zgjedhjen e rektorit, meqë në listën e ngushtë mungon emri i Halilit. KOHA ka gjetur se në një punim shkencor të publikuar sivjet, Halili është bashkautor me ministrin Likaj, e në një tjetër me kryetarin Bajra.

Të tre janë kontaktuar nga KOHA, por nuk kanë pranuar të flasin për këtë proces zgjedhjeje.

E, në Senat e kanë kualifikuar si ndërhyrje qasjen e treguar deri tash nga 4 prej 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues, të cilët janë të emëruar me vendim politik.

“Ne i bëjmë thirrje Këshillit Drejtues, me theks të posaçëm pjesës që vjen nga Ministria, që ta përfillin propozimin dhe vendimin e Senatit të Universitetit të Prishtinës, si organi më i lartë akademik dhe ta përfundojnë procedurën e zgjedhjes së rektorit të UP-së. Përndryshe do të konsideronim se është ndërhyrje në autonominë e universitetit çdo pengesë apo tentative për të kualifikuar kandidatë të cilët nuk i përmbushin kriteret e konkursit dhe atyre ligjeve që e rregullojnë çështjen e kualifikimit apo të konfliktit të interesit”, ka thënë Dugolli.

Votimi për rektorin përmbyll ciklin e zgjedhjeve në UP, i nisur dy muaj më parë. Në muajin e shkuar janë konstituuar përbërjet e reja të këshillave të fakulteteve, janë zgjedhur dekanët, si dhe është konstituuar edhe përbërja e re e Senatit.