Arbëri

Selimi: AAK-ja nuk përkrah dialogun teknik e as atë pa SHBA-në në tavolinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e përkrah një dialog ku pjesë e tij nuk është ShBA-ja dhe një që mund të rrëshqasë në dialog teknik.

Partia e Ramush Haradinajt po ankohet në LDK-në edhe sa i përket emërimit të Koordinatorit shtetëror për dialog, i cili sipas tyre u bë pa asnjë konsultim paraprak me partnerët e koalicionit. Gjatë ditës është raportuar se do të ketë takime mes kreut të LDK-së dhe të AAK-së, si shkak i përçarjeve mes koalicionit, megjithatë Selim Selimi nga kjo parti, thotë se nuk është njoftuar për një takim të tillë.

Selimi shprehet se kjo nuk do të thotë degradim për koalicionin qeverisës.

“Sigurisht kanë takime pasi që krerët e partive politike mbajnë kontakte, për shkak që janë titullarë. A mund të jetë temë dialogu? Mund të jetë edhe ajo temë nuk e di, mendoj që shanset me qenë ajo temë janë të mëdha. Kjo nuk do të thotë që do të degradojë koalicioni, mendoj që takimet e tilla do të duhej të mbaheshin edhe më herët edhe duhet të vazhdojnë të mbahen. Pasi liderët si titullarë të këtij koalicioni duhet të jenë titullarë edhe të çështjeve nacionale”, deklaron Selimi për KosovaPress.

Ndër të tjera, Selimi thotë se nëse dialogu rrëshqet në atë teknik, AAK-ja do të humbë besimin në këtë proces.

“Nëse ne rrëshqasim në dialog teknik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në tavolinë, atëherë ky dialog do ta humb besimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e ne jemi partneri kryesor në koalicion. Ne duhet të jemi pjesë e këtij procesi. Emërimi i kryenegociatorit është bërë pa konsultim me neve dhe pa konsultim me partnerin tjetër të koalicionit. Emërimi i një kryenegociatori ka qenë sinjal se potencialisht ne jemi rikthyer në një dialog teknik. Dhe ky ka qenë edhe shqetësim që ia kemi shprehur kryeministrit Hoti. Dhe kemi qenë të zëshëm mediatikisht që ky format i dialogut teknik dhe i pafund në Bruksel sa për fotografi, pa SHBA-të nuk është dialog”, shton ai, përcjell KP-ja.

Ministri i Drejtësisë deklaron se janë stabil në qeveri, megjithatë sipas tij nuk hezitojnë që t’i shprehin pakënaqësitë që kanë në bashkëqeverisje. Sipas tij, LDK duhet të reflektojë sa karshi këtyre shqetësimeve.

“Dialogu momentalisht nuk është duke shkuar ashtu siç ne kemi menduar që duhet të shkojë. Që të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës aty dhe të mos kemi dialog teknik. Ne jemi tërë kohën në kontakt dhe shqetësimet tona i kemi artikuluar edhe te kryeministri por edhe te liderët. Dhe duhet të gjendet një zgjidhje në të cilën ne dakordohemi që do ta kemi marrëveshjen me Serbinë, dhe ajo marrëveshje duhet të jetë njohje reciproke me kufijtë ekzistues”, thekson ai.

Ndërkohë, që ai bëri të ditur se ekziston rrezik i madh që Kosova pas 20 muajve pushim të bisedimeve me Serbinë, po shkon drejt dialogut teknik.