Arbëri

Havolli: Kur kërkojmë dyfishim të pagesës së kujdestarisë për 100% duket shumë, por nuk është

Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve dhe Mamive, ka sqaruar se kërkesa e tyre për rritje të pagesës së kujdestarisë së natës kap vlerën e 2.7 milionë eurove në vit, për të gjitha spitalet në Kosovë.

Ai, në një intervistë dhënë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se kjo do të motivonte infermierët në këtë kohë të rëndë për vendin shkaku i pandemisë me koronavirusin.

Aktualisht, pagesa për kujdestari është 18 euro, ndërkohë që po kërkohet të jetë 36 euro.

“Duket shumë kur kërkojmë 100 për qind rritje, por nuk është ashtu. Bëhet fjalë për 36 euro, pra tash është 18 euro kujdestaria e natës, kurse në kërkojmë të bëhet 36 euro”, ka thënë Havolli.

Për këtë kërkesë, infermierët sot kanë protestuar në Prishtinë.