1 perditesime
15:23

Zemaj për faljen e Kurban Bajramit: As nuk e lejojmë e as nuk e ndalojmë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria as nuk do të lejojë e as ndalojë faljen e Kurban Bajramit të premten.

Ai gjatë vizitës së sotme në Mitrovicë, foli edhe për qëndrimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për falje të Kurban Bajramit nëpër xhami, me gjithë vendimet e fundit të Qeverisë, ku ndalohen të gjitha pjesëmarrjet fizike të qytetarëve në ceremonitë fetare.

“As nuk ndalojmë e as nuk lejojmë falje të çfarëdo riti fetar. Kemi sjellë rekomandime e vendime për të ruajtur shëndetin. I kemi ndaluar të gjitha aktivitetet publike, qofte edhe ato private. Vetëm për ta ulur numrin e ta zhdukim pandeminë. BIK-u është përgjegjës”, ka thënë Zemaj.

BIK-u konfirmoi sot se do të ketë falje të Kurban Bajramit, pasi sipas drejtuesve të kësaj bashkësie, vendimi i Qeverisë nuk ka të bëjë me festën e së premtes.

13:36

BIK-u në kundërshtim me masat e Qeverisë: Kurban Bajrami do të falet në xhami

Qeveria e Kosovës të martën, ndër shumë vendimet për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, mori edhe atë që ndalon pjesëmarrjen fizike të qytetarëve në të gjitha ceremonitë fetare në Kosovë.

Por, sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Ahmet Sadriu, thotë se këtë të premte do të falet Kurban Bajrami.

“E keni komunikatën e ditës së hënë, nuk ka ndryshim nga ajo që është thënë në atë komunikatë”, ka thënë ai të mërkurën për KOHËN.

E lidhur me vendimet e fundit të Qeverisë, ai thotë se në to nuk specifikohet se ndalohet falja e namazit të Kurbanit Bajramit.

BIK-u të hënën kishte vendosur për faljen e Kurban Bajramit me disa kufizime, si për shembull që në këtë ceremoni të marrin pjesë jo më shumë se 50 persona, të respektohet distanca si dhe të mbahet maska.

Në pikën 16 të vendimeve të Qeverisë për masat e reja për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, thuhet: “Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Vendimi i së hënës i BIK-ut