Arbëri

Shkaku i pandemisë anulohet rigjykimi ndaj Shukri Bujës dhe 9 të tjerëve

Shkaku i pandemisë anulohet rigjykimi ndaj Shukri Bujës dhe 9 të tjerëve

Për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë Covid-19, është anuluar rigjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe nëntë të akuzuarve tjerë, i paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Sipas zëdhënëses së gjykatëses, Mirlinda Gashi, kjo seancë është anuluar për shkak të koronavirusit.

Gashi, për “Betimi për Drejtësi”, tha se për shkak të numrit të madh të të akuzuarve në këtë rast dhe rrezikut të përhapjes së pandemisë, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalldura ishte vlerësuar se kjo seancë duhet të anulohet. Ndryshe, ky rast mund të rrezikojë parashkrimin për shkak se veprat penale për të cilat pretendohen se janë kryer nga të akuzuarit, përfshijnë periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2012, atëherë edhe gjykatat, qoftë ajo Themelore apo ajo e Apelit, në rast se do të ketë ankesa nga palët, do të jenë në garë me kohën për të përfunduar gjykimin e kësaj çështje. Kjo pasi sipas Kodit Penal, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit.