Arbëri

Një grup kosovarësh thonë se kanë mbetur të ngujuar në Aeroportin e Stambollit

Foto: Alban Bujari / KD

Që nga fundjava qytetarëve të Kosovës të cilët gjenden në Stamboll u është ndaluar fluturimi me aeroplan për në Maqedoni pa pasur një dokument që kanë bërë testin për COVID-19.

Në mesin e qytetarëve ka mbetur në Stamboll edhe biznesmeni i njohur nga Lipjani Ali Stublla i cili prej disa ditësh po qëndron në Turqi për çështje biznesore.

Stublla i ka thënë KOHËS se Maqedonia tani ka vendosur që kosovarët mos t’i lejojnë të fluturojnë nga Stambolli për në Shkup pa e pasur testin për koronavirus.

“Një grup i kosovarëve kemi mbetur në Stamboll. Gjatë ditës kemi kaluar të gjitha kontrollet kufitare dhe para se të hipim në avion ju ka ardhur urdhri që kosovarët të kthehen për shkak se nuk e kanë testin e bërë të koronavirusit. Këtë kriter e paska bërë Maqedonia, ndërkaq në mesin e kosovarëve është edhe një person me kancer i cili është bërë operacion në Turqi. I kemi njoftuar edhe ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ambasadën, mirëpo kanë thënë se nuk mund të bëjmë asgjë”, ka thënë Stublla.

Sipas tij, biletat e aeroplanit “u janë djegur”, ndërkohë gjatë këtyre ditëve nuk ka fluturime drejtpërdrejt nga Stambolli për në Kosovë, andaj kërkojnë nga institucionet përkatëse t’ia mundësojnë fluturimin për në Shkup ashtu siç i kanë drejtimet e rezervuara.