Arbëri

Java e ardhshme, vendimtare rreth gjendjes së jashtëzakonshme

Ashpërsim edhe më tutje të masave e jo shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, ka vendosur të ketë Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Avdullah Hoti, në konferencën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, tha se gjatë kësaj jave do të ketë edhe një vlerësim të gjendjes.

E më pas do të vendoset nëse do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Më tutje, Hoti ka bërë të ditur disa prej masave që pritet të miratohen në mbledhjen e radhës të ekzekutivit. Në mesin e tyre, shqiptimi i gjobave e ndalimi i tubimeve publike.

Por në mbledhjen e së dielës të Këshillit të Sigurisë nuk mori pjesë presidenti Hashim Thaçi, raporton KOHA.

Mungesën e tij kreu i Qeverisë e arsyetoi se mbledhja nuk është mbajtur në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme.

Paralajmërimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kryeministri Avdullah Hoti e bëri të shtunën, pas takimit virtual me krerët e komunave të Kosovës.

Pas tij, Hoti tha se me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të ketë “paralizim të bizneseve e institucioneve”.