Arbëri

21-vjeçarja me COVID-19 vdes pasi solli në jetë një foshnje

Një 21-vjeçare nga rrethi i Podujevës, e infektuar me koronavirus, ka vdekur të premten në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pacientja kishte vdekur pasi solli në jetë një foshnjë, ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.

Ai ka thënë se pacientja ka qenë e intubuar.

“Pacientja ka qenë e intubuar në Mjekësinë Sportive. E kanë sjell tek ne, dhe e kemi kryer lindjen”, ka thënë ai për KOHËN.

Sipas tij, mjekët duke e parë rrezikun që 21-vjeçarja të vdesë e kanë drejtuar për Gjinekologji për lindje me prerje cezariane në mënyrë që të shpëtojë foshnja. Sipas tij, neonatologët e kanë marrë foshnjën dhe gjendja e foshnjës është e mirë.

“Foshnja është transferuar në intensivë. Është me oksigjen dhe kjo mund të jetë edhe për faktin që është lindje e parakohshme. Gjendja është stabile. Nesër do të testohet për COVID-19", ka thënë drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci.