Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka kërkuar që të rikthehen ekspertët e dorëhequr nga ekipi përgatitor për procesin e vettingut në drejtësi.
Ai, në konferencë shtypi, ka thënë se ky grup ekspertësh duhet të kthehet që ky proces të bëhet më i besueshëm.
"Pavarësisht deklaratës së tyre publike që më shumë ngjau politike, ne nuk do të bëjmë politikë si Ministri por do të kujdesemi që parimin që e kemi vendosur në fillim i cili është gjithëpërfshirja ta mbajmë deri në fund, andaj pikë e këtij vendimi do të jetë edhe çdo ekspert apo edhe grupi i ekspertëve që vendosin të kthehen dhe të kontribuojnë bashkë me hisedarët e drejtësisë që ta bëjnë këtë proces sa më të mirë dhe të implementueshem", ka thënë ai.
Selimi po ashtu ka thënë se janë konsultuar me Zyrën e Kryeminisrit, KPK-në, Prokuroritë në vend dhe "me rëndësi edhe partnerët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në".
Shtatë ekspertët nga shoqëria civile janë dorëhequr nga grupi punues për procesin e vettingut. Ariana Qosaj Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi, kanë dhënë dorëheqje pasi sipas tyre sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë.