Arbëri

Qeveria vendos masa kufizuese edhe në veri

Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Qeveria e Kosovës ka vendosur për masa të reja me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe të kontrollit të infeksionit me koronavirus në katër komunat veriore të Kosovës.

Një ditë pasi shtabet komunale të katër komunave në veri të Kosovës njoftuan se kanë vendosur që të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në pesë të mëngjesit, të njëjtën ka thënë se e ka vendosur edhe Qeveria e Kosovës.

Në një njoftim për media, Qeveria e Kosovës ka thënë se në mbledhjen e 11-të, elektronike, ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë, që nga 8 korriku, të kufizohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

“Nga kjo ndalesë do të përjashtohen rastet urgjente shëndetësore; rastet e nevojës së kujdesit për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, në rastet kur të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten; rastet e kërkimit të ndihmës nga institucione përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare; rastet e vdekjes së anëtarit të familjes; dhe rastet e nevojave të përkujdesit ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia. Në asnjë rast nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar”, thuhet në njoftim. “Vendimi i miratuar sot nga kabineti qeveritar ndalon hyrje-daljet 24 orë për personat e infektuar, ata të kontaktit dhe personat e dyshuar në Komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në afat prej 14 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, përveç rasteve të përjashtuara të përmendura më lart”.

Qeveria thotë se e ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në analizimin e situatës epidemiologjike nga profesionistët e fushës, meqenëse ka rritje të numrit të qytetarëve që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Pos kësaj mase, shtabet komunale në katër komunat në veri të martën kishin njoftuar se kanë vendosur edhe për masën e karantinimit. Të mërkurën, kryeministri Avdullah Hoti kishte deklaruar se në eri s’ka karantinim duke thënë se “askush s’mund të vendosë masë të karantinimit, pa marrë vendim Qeveria e Kosovës”.

Masën kufizuese të qarkullimit Qeveria e Kosovës e kishte ndërmarrë pak ditë më parë edhe për Prishtinën, Prizrenin, Vushtrrinë dhe Ferizajn.