20:07

Hoti: S’ka karantinim në veri

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në veri nuk është vendosur masa e karantinimit, pavarësisht se për këtë dje njoftuan shtabet komunale të komunave në veri.

Ai ka thënë se askush s’mund të vendosë masë të karantinimit, pa marrë vendim Qeveria e Kosovës.

“Në veri vlen vetëm ligji i Kosovës, asnjë ligj tjetër. Si qeveri ne do të marrim vendim nëse ka nevojë për kufizim të lëvizjes. Institucionet e Kosovës respektojnë vetëm vendimet që dalin nga Qeveria e Kosovës, asnjë vendim tjetër”, ka thënë ai. “Brenda territorit vlejnë vetëm ligjet e Kosovës. S’ka karantinim në veri. Asnjë organ që vendos karantimin atje s’mund ta bëjë këtë pa vendim të Qeverisë së Kosovës”.

Duke komentuar deklaratën e Listës Serbe që vazhdon t’i referohet Kosovës si “Kosovë e Metohi” dhe se zëvendëskryeministri Goran Rakiq vjen nga kjo parti, Hoti ka thënë se “Rakiq i nënshtrohet ligjit të Kosovës”.

“Zëvendëskryeministri Rakiq në zyrën e tij i përdor simbolet e Republikës, ashtu siç kanë qenë. Deklarimet që janë bërë dje, s’kanë qenë të zëvendëskryeministrit Rakiq. Ai është anëtar i qeverisë së Kosovës dhe i nënshtrohet ligjit. Jam përgjegjës për kabinetin qeveritar. Secili i nënshtrohet ligjeve të Kosovës. Në cilindo rast që bie ndesh, unë detyrohem të marrë vendim arbitrar. Është çështje e tyre se si janë deklaruar”, ka thënë ai.

20:00

Hoti: Jemi gati për dialog, por me njohje reciproke

Kryeministri Avdullah Hoti pas takimit me presidentin Emmanuel Macron në Francë, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Megjithatë, sipas tij, kjo nëse dialogu çon te njohja reciproke.

“Ka qenë ndër vizitat e para bilaterale pas shumë vitesh në Elize. Në bisedë me presidentin Macron kemi diskutuar se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme. Ajo që është me interes është se Franca mbetet e interesuar për integrimin e Kosovës sa i përket aspektit euroatlantik. Në vjeshtë të këtij viti, pritet të mbahet edhe një forum për biznese. Kam nënshkruar dy marrëveshje”, ka thënë ai në konferencë.

“Këtë të premte mbahet Samiti i Parisit, në takim që kisha me Macronin kam treguar qartë qëndrimet tona sa i përket dialogut me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në procesin e dialogut mirëpo që nënkupton njohjen reciproke”, ka vazhduar Hoti.

19:54

Hoti: Ka nevojë për rritje të vetëdijes te qytetarët për situatën me COVID-19

Pas mbledhjes së Komitetit për Menaxhim të Situatës me COVID-19, kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se në Kosovë ka nevojë që të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës me koronavirus.

“Jemi duke përcjellë gjendjen në çdo komunë dhe duke ndërmarrë vendime adekuate. Kanë filluar punën spitalet rajonale për të krijuar kapacitetet shtesë me shtretër dhe pajisje përcjellëse dhe riorganizimin e kapaciteteve njerëzore, për klinikat ku ka më së shumti nevojë për t’u përballur me këtë situatë. Janë aktivizuar të gjitha shtabet lokale. Është bë plani i organizimit të Policisë për t’u dalë në ndihmë komunave. Ajo që është me interes është që të kërkojmë të zbatohet është funksionalizimi i shtabeve të fshatrave. Kemi shtuar kapacitetet e inspektimit dhe rezultatet e para kemi parë. Janë shqiptuar edhe gjoba për subjektet që s’kanë përfillur vendimet e Qeverisë. Duket se ka nevojë të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës. Ka raste kur qytetarët kanë rezultuar pozitivë e s’janë mbyllur”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Hoti ka thënë se po mendohet që të bëhet testimi i një mostre në nivel vendi për të pasur pasqyrë më të qartë të shkallës së infektimit në nivel vendi.

Takimi i këtij komiteti u mbajt pas shtimit të numrit të viktimave dhe shumë rasteve të reja me COVID-19 në ditët e fundit në Kosovë.