Arbëri

Vuçiq: Për Kosovën do të na bëjnë presion që të humbim

Një verë dhe një vjeshtë të vështirë për Serbinë lidhur me çështjen e Kosovës ka paralajmëruar të martën pasdite presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një prononcim publik Vuçiq ka folur për masat e reja të Serbisë në luftë ndaj koronavirusit, por ka folur edhe për bisedimet e Kosovës me Serbinë.

Vuçiq ka thënë se askush nuk do ta përkëdhel Serbinë në këtë proces.

“Na pret një verë dhe një vjeshtë e vështirë edhe për çështjen e Kosovës dhe Metohisë. Të gjitha bisedat dhe negociatat që do t’i kemi, askush nuk do të na përkëdhel. Askush nuk do të na jep asgjë, nuk do të na ofrojë dhe të na dhurojë. Por do të na bëjnë presion për të humbur”, ka theksuar Vuçiq.

“Na duhet bashkim, unifikim, që të jemi mjaftueshëm të fortë, racional, që të kuptojmë mirë pozitën tonë në botë, të jemi të qëndrueshëm mjaftueshëm dhe të mos kërkojmë diçka kundër njerëzve që luftojnë dhe punojnë, por si të ndihmojmë njëri-tjetrin që vendin tonë ta ruajmë dhe ta mbrojmë”.